Kulturë

Njeriu Misterioz i Merilendit

Shtojcat e së Dielës në gazetat e Nju Jorkut shpërthyen çështjen me skeçe fascinuese të cilat tregonin kokën e Benjamin Butonit përngjitur një peshku, gjarpri apo një trupi të ngurtë tunxhi. U bë i njohur, gazetarisht, si Njeriu Misterioz i Merilendit. Por, historia e vërtetë, sikur ngjan zakonisht, u përhap nëpër një qark shumë të vogël

Kur, gjashtë muaj më vonë, u bë i ditur lajmi për fejesën ndërmjet zonjushës Hildegarde dhe z. Buton (them u bë i ditur sepse gjenerali Monkrif deklaroi që më parë do të binte i vdekur mbi shpatën e tij sesa ta shpallte atë), ekzaltimi në shoqërinë e Baltimores arriti një ritëm të ethshëm.

Historia gati e harruar e lindjes së Benjaminit u kujtua dhe u shpërnda me erërat e skandalit në forma të pabesueshme dhe pikareske. U tha se Benjamini qe vërtet babai i Roger Butonit, që ishte vëllai i tij ai i cili kishte qenë në burg për 40 vjet, që ishe Xhon Uillks Buth, ama i maskuar – dhe, përfundimisht, që kishte dy brirë të vegjël konikë që mugullonin nga koka e tij. Shtojcat e së Dielës në gazetat e Nju Jorkut shpërthyen çështjen me skeçe fascinuese të cilat tregonin kokën e Benjamin Butonit përngjitur një peshku, gjarpri apo një trupi të ngurtë tunxhi. U bë i njohur, gazetarisht, si Njeriu Misterioz i Merilendit. Por, historia e vërtetë, sikur ngjan zakonisht, u përhap nëpër një qark shumë të vogël. Sidoqoftë, çdonjëri u pajtua me gjeneralin Monkrif, se ishte “krim” që një vajzë aq e këndshme e cila do të mund të martohej me cilindo djalë të Baltimores, ta hidhte veten në krahët e një njeriu që sigurisht ishte 50-vjeçar. Më kot z. Roger Buton publikoi certifikatën e lindjes së të birit në modele të mëdha në Blaze të Baltimores. Kurrkush s’besonte. Mjaftonte ta shikoje Benjaminin.

Sa u përket dy njerëzve më të preokupuar me çështjen, s’pati asnjë lëkundje. Qarkullonin aq shumë histori mbi të fejuarin e saj, sa Hildegarde refuzoi me kryeneçësi ta besojë madje edhe të vërtetën. Më kot gjenerali Monkrif ia përmendte vdekshmërinë e lartë të 50-vjeçarëve – apo të paktën atyre burrave që dukeshin si 50-vjeçarë; më kot ia përmendte jostabilitetin e biznesit të tyre me artikuj metalikë. Hildegarde kishte zgjedhur të martohej me pjekurinë – dhe ashtu bëri...

VII

Në një gjë, të paktën, miqtë e Hildegardes qenë gabim. Biznesi i artikujve metalikë avanconte për mrekulli. Në 15 vjet mes martesës së Benjaminit më 1880 dhe pensionimit të babait të tij më 1895, pasuria e familjes qe dyfishuar – dhe krejt kjo falë anëtarit të ri të firmës. E panevojshme të theksohet, Baltimorja eventualisht pranoi çiftin në gjirin e vet. Edhe vetë gjenerali plak Monkrif u pajtua me dhëndrin e tij, kur Benjamini ia dha paratë për ta publikuar “Historinë e Luftës Civile” në 20 vëllime, libër që u refuzua nga nëntë botues të njohur. Te Benjamini, 15 vjet kishin sjellë shumë ndryshime. I dukej se gjaku i rridhte me fuqi tjetër nëpër vena. Nisi të ndiente kënaqësi kur zgjohej mëngjeseve, kur ecte me hapa energjikë përgjatë rrugës me diell e të mbushur me njerëz, kur punonte palodhur me ngarkesat e çekanëve dhe dërgesat e gozhdëve. Qe më 1890 kur realizoi goditjen e befasishme biznesore: solli sugjerimin se të gjitha gozhdët e përdorura për gozhdimin e kutive me anë të të cilave ato transportoheshin, janë pronë e transportuesit, propozim që u bë statut, u aprovua nga kryetari i Gjykatës së Lartë dhe ia shpëtoi kompanisë së Butonit më shumë se 600 gozhda çdo vit. Tutje, Benjamini zbuloi që po bëhej përditë e më i tërhequr nga ana gazmore e jetës. Qe tipike e rritjes së tij entuziazmi për kënaqësinë se ishte njeriu i parë në qytetin e Baltimores që posedonte dhe voziste një veturë. Kur e takonin në rrugë, bashkëmoshatarët e tij do ta hanin me shikim xhelozie atë pamjen e tij të shëndetshme e vitale. “Duket se po rinohet përditë”, – do të vërenin ata. Dhe nëse plaku Roger Buton, tani 65 vjeç, kishte dështuar t’ia jepte fillimisht mirëseardhjen e duhur birit të tij, lau gjynahun tani, duke i dhuruar miklim të tepërt. Dhe ja ku vijmë te një temë e pakëndshme, e cila do të ishte mirë të tejkalohej sa më shpejt që të jetë e mundur. Ishte vetëm një gjë që e brengoste Benjamin Butonin: gruaja e tij s’e tërhiqte më. Asokohe, Hildegarde qe 35 vjeçe dhe kishte një djalë të quajtur Rosko, 14 vjeç. Në ditët e para të martesës, Benjamini e admironte. Por, me kalimin e viteve, flokët e saja ngjyrë mjalti qenë kthyer në një kafe jotërheqëse, smalti i kaltër i syve të saj mori hijen e fajancave të lira – e, për më tepër dhe mbi të gjitha, ajo ishte bërë shumë e heshtur, shumë gjakftohtë, shumë e përmbajtur, shumë anemike në gjërat që e ekzaltonin dhe shumë e matur në shijen e saj. Në fillimet e tyre, kishte qenë ajo që e kishte “tërhequr” Benjaminin drejt vallëzimeve dhe darkave – tani ngjante e kundërta. Ajo e shoqëronte në ndejat shoqërore, por pa entuziazëm, e gllabëruar tanimë nga ajo ngurtësia e përjetshme që vjen në jetë te secili prej nesh një ditë dhe qëndron derisa të vdesim. Pakënaqësia e Benjaminit rritej përherë e më shumë. Me shpërthimin e Luftës Amerikano-Spanjolle më 1839, shtëpia i qe bërë aq ujk, sa vendosi t’i bashkohej ushtrisë. Me ndikimin e madh që kishte biznesi i tij, ai mori gradën e kapitenit dhe u tregua aq efikas sa mori dhe gradën e majorit e pastaj edhe lejtnantkolonelit, pikërisht në kohë për të marrë pjesë në të famshmin sulm ndaj kodrës së Shën Huanit. Ishte plagosur lehtë dhe pranoi një medalje.

Ishte vetëm një gjë që e brengoste Benjamin Butonin: gruaja e tij s’e tërhiqte më. Asokohe, Hildegarde qe 35 vjeçe dhe kishte një djalë të quajtur Rosko, 14 vjeç. Në ditët e para të martesës, Benjamini e admironte

Benjamini qe lidhur aq shumë me aktivitetin dhe ekzaltimin e jetës ushtarake, sa i vinte rëndë të hiqte dorë nga ajo, por biznesi i tij kërkonte vëmendje, kështu që ai hoqi dorë nga pozita dhe u kthye në shtëpi. Aty u prit nga një trupë muzikore që e shoqëroi deri në shtëpi.

VIII

Hildegarde, duke valëvitur një flamur mëndafshi, e përshëndeti ardhjen e Benjaminit nga veranda dhe në momentin kur ky e puthi, ndjeu që zemra i rrapëlliu: ato tre vjet e kishin bërë të veten. Tanimë ajo ishte 40 vjeçe dhe një hije e zbehtë gri i dallohej në flokë. Pamja e zhgënjeu Benjaminin. Lart në dhomë, ai pa reflektimin e tij në pasqyrën familjare – u afrua dhe analizoi fytyrën e vet me ankth, duke e krahasuar më pas me një fotografi të tijën në uniformë, shkrepur para luftës. – Zot i madh! – tha me zë të lartë. Procesi po vazhdonte. Për këtë nuk kishte asnjë dyshim – tani dukej si djalë në të tridhjetat. Në vend se të kënaqej për këtë gjë, ai u shqetësua: po rinohej. Gjer tani kishte shpresuar që kur ta arrinte një moshë trupore që do t’u përshtatej viteve të jetës, fenomeni grotesk që kishte shënjuar lindjen e tij do të shuhej krejt. U rrëqeth. Fati i dukej i neveritshëm, i pabesueshëm. Kur zbriti poshtë shkallëve pa se Hildegarde po e priste. U duk e zemëruar dhe Benjamini pyeti veten mos ajo e kishte kuptuar se diçka s’po ecte mirë. Dhe, duke tentuar ta çlironte tensionin mes tyre, hapi temën gjatë darkës, në mënyrën më delikate të mundshme. – Mirë, – tha ai butë, – çdokush thotë që dukem më i ri se kurrë.

Pakënaqësia e Benjaminit rritej përherë e më shumë. Me shpërthimin e Luftës Amerikano-Spanjolle më 1839, shtëpia i qe bërë aq ujk, sa vendosi t’i bashkohej ushtrisë

Hildegarde e kundërshtoi me përbuzje. Pastaj u ngërdhesh. – E ti mendon se kjo është për t’u lavdëruar? – Nuk po lavdërohem, – pohoi Benjamini si me shqetësim. Ajo u ngërdhesh përsëri. – Ideja, – tha ajo, dhe pas një momenti shtoi – ...duhet të mendoj se ke mjaftueshëm krenari ta ndalosh. – Si? – pyeti ai. – S’do të diskutoj me ty, – replikoi ajo – por, ka një mënyrë të duhur dhe një tjetër të gabuar për t’i bërë gjërat. Po qe se ke vendosur të jesh ndryshe nga të gjithë të tjerët, s’ma ha mendja se mund të të ndal, por s’mendoj që është shumë e sjellshme nga ana jote. – Por, Hildegarde, s’mund të bëj gjë. – Po, mundesh. Por, je një kokëfortë, kjo është e gjitha. Nuk do të jesh si të gjithë të tjerët. Përherë ke qenë kështu dhe kështu do të jesh gjithmonë. Por, vetëm mendo si do të ishte nëse të gjithë do t’i shikonin gjërat ashtu si ti – si do të ishte bota atëherë? Pasi ky qe një argument aq bosh, të cilit as s’mund t’i kundërpërgjigjeshe, Benjamini s’e komentoi fare dhe nga ajo kohë një humnerë nisi të zgjerohej mes tyre. Pyeti veten se çfarë e kishte fascinuar te Hildegarde atëbotë. Për ta thelluar edhe më humnerën, ai kuptoi se në fillet e shekullit të ri, etja për zbavitje e dëfrim u rrit edhe më shumë. S’mungonte në asnjë ndejë që bëhej në Baltimore, vallëzonte me gratë më të hijshme nga ato të rejat të martuara, bisedonte me debutantet më të njohura dhe kënaqej me praninë e tyre derisa gruaja e tij, posi një vejushë fatzezë, rrinte mes grave të moshuara, për ta shikuar Benjaminin me sy seriozë, enigmatikë dhe qortues.

– Shikoni, – do të thoshin njerëzit. – Sa gjynah! Një i ri i kësaj moshe i lidhur me një grua 45 vjeçe. Duhet të jetë 20 vjet më i ri sesa gruaja e tij. Njerëzit kishin harruar – sikur bëjnë zakonisht – që më 1880, nënat dhe baballarët e tyre kishin komentuar gjatë këtë martesë të papërshtatshme. Pakënaqësia përherë në rritje e Benjaminit në shtëpi kompensohej me interesat e tjera të tij. Nisi të luante golf dhe pati fort sukses në këtë sport. Vallëzonte: më 1906 ishte një ekspert në “The Boston” dhe më 1908 u konsiderua kompetent i padiskutueshëm në “Maxixe”, derisa më 1909, “Castle Walk”-u i tij u xhelozua nga secili riosh në qytet. Aktivitetet sociale, natyrisht, e pengonin në njëfarë mase biznesin e tij, por qenë bërë tashmë 25 vjet punë me tregtinë me artikuj metalikë dhe ndjeu që shpejt do të mund t’ia linte në dorë djalit të tij, Roskos, që rishtazi kishte diplomuar në Harvard. Ai me të birin e tij, në fakt, shpesh edhe ngatërroheshin – merreshin për njëri-tjetrin. Kjo e gëzonte Benjaminin – shpejt harroi frikën tinëzare që pati kur u kthye nga Lufta Amerikano-Spanjolle dhe tani dukja e tij i jepte një kënaqësi naive. Qe veç një kontraindikacion në atë “krem” të këndshëm – urrente të paraqitej në publik me gruan e tij. Hildegarde ishte gati 50 vjeçe dhe pamja e saj e bënte Benjaminin të ndihej krejtësisht absurd.

Hildegarde ishte gati 50 vjeçe dhe pamja e saj e bënte Benjaminin të ndihej krejtësisht absurd

IX

Një ditë shtatori të vitit 1910 – disa vjet pasi Roger Button & Co., dyqani i shitjes me shumicë i artikujve metalikë, iu la në dorë të riut Rosko Buton – një burrë, rreth të njëzetave me sa dukej, u regjistrua si brucosh në Universitetin e Harvardit në Kembrixh. S’e bëri gabimin të shpallte se kurrë më s’do t’i kishte 50 vjet e as faktin se djali i tij para 10 vjetësh kishte diplomuar në të njëjtin institucion. U pranua në universitet dhe pothuajse menjëherë arriti ta kishte një pozitë prominente në klasë, pjesërisht pse dukej pak më i vjetër sesa brucoshët e tjerë, mosha mesatare e të cilëve sillej rreth 18. Por, suksesi i tij i detyrohej thellë faktit që në lojën e futbollit me Jejllin, ai luajti në mënyrë aq brilante, me aq sulm të befasishëm e të pandalshëm, sa shënoi 7 gjashtëpikësha dhe 14 gola në fushë për Harvardin dhe u bë shkak që një skuadër të tërë me 11 lojtarë nga Jejlli ta bartnin jashtë fushe, pa vetëdije. Qe më i famshmi i universitetit. E çuditshme të thuhet, por në vitin e tretë mezi hyri në ekip. Trajnerët thanë që kishte humbur peshë dhe se sa më shumë e observonin, u dukej që s’e kishte gjatësinë e mëparshme. S’shënoi më 6-pikësha – në fakt, e mbanin në ekip me shpresën që reputacioni i tij do t’i ngjallte frikë dhe do ta çorientonte ekipin e Jejllit. Në vitin e fundit të studimeve nuk mori pjesë fare në ekip. Qe bërë aq fragjil dhe aq i vockël, sa një ditë u mor për brucosh nga ca studentë të vitit të dytë, incident që e poshtëroi keq. Nisi të njihej si një lloj mrekullie – një i moshuar që s’ishte më i madh se 16 vjet – dhe shpesh skandalizohej nga të thënat e shokëve të tij. Mësimet i vinin më të vështira – ndiente se ishin shumë të rënda për moshën e tij. Kishte dëgjuar shokët e klasës të flisnin për Shën Midasin, shkollën e famshme përgatitore, në të cilën shumë nga ta ishin përgatitur për universitet dhe vendosi që pas studimeve të regjistrohej aty, ku jeta e sigurt mes djemve të moshës se tij do të ishte më e pëlqyeshme. Pasi përfundoi studimet më 1914, u kthye në Baltimore me diplomën e Harvardit në xhep. Hildegarde po jetonte tani në Itali, kështu që Benjamini shkoi të jetonte me të birin e vet, Roskon. Por, edhe pse përgjithësisht u prit mirë, qartazi në ndjenjat e Roskos kundrejt të atit s’kishte çiltërsi – madje dukej se kishte një tendencë ta konsideronte Benjaminin si pengesë, kur ky endej nëpër shtëpi i burgosur nga melankolitë adoleshente. Rosko ishte i martuar tanimë, zinte një vend të rëndësishëm në jetën shoqërore të Baltimores dhe s’kishte qejf që asnjë skandal ta dëmtonte lidhjen me familjen e tij. Benjamini, tanimë person non grata për gocat debutante dhe studentët e rinj, ndihej i braktisur e shumë i vetmuar, dhe s’kishte tjetër veç pranisë së 3-4 djemve 15–vjeçarë në lagje. Ideja për të shkuar në shkollën përgatitore të Shën Midasit iu kujtua tani.

 Benjamini, tanimë person non grata për gocat debutante dhe studentët e rinj, ndihej i braktisur e shumë i vetmuar, dhe s’kishte tjetër veç pranisë së 3-4 djemve 15–vjeçarë në lagje. Ideja për të shkuar në shkollën përgatitore të Shën Midasit iu kujtua tani

– Dëgjo, – i tha Roskos një ditë. – Të kam thënë sa herë që dua të regjistrohem në shkollën përgatitore. – Po shko pra, – ia ktheu Rosko shkurt. Çështja s’i interesonte dhe s’donte të diskutonte me të. – S’mund të shkoj vetëm, – i tha Bejnamini pa shpresë. – Duhet të më regjistrosh dhe të më çosh ti. – S’kam kohë, – deklaroi Rosko ashpër.

Rrodhi sytë dhe shikoi me zor babanë e tij. – Faktikisht, – shtoi ai, – më mirë do të ishte po qe se ti – pauzoi këtu dhe fytyra e tij u skuq sikur t’i kishin ikur fjalët, – më mirë do të ishte po qe se ti do t’ia nisje gjithçkaje nga e para. Kjo është e tepërt për të qenë shaka. S’është madje as qesharake më. – Hej, sillu mirë! – e shikoi Benjamini të birin, buzë lotëve. – Dhe, edhe diçka, – vazhdoi Rosko, – kur më sheh me mysafirë në shtëpi, më quaj xhaxha, jo Rosko, xhaxha, merr vesh? Do të dukej absurde që një 15-vjeçar të më thërrasë në emër. Bile do të ishte më mirë të më quaje xhaxha krejt kohën, kështu që do ta bëje shprehi. Me një shikim të ashpër drejtuar babait, Rosko u largua.

Shkëputur nga “Rasti i çuditshëm i Benjamin Butonit” të Francis Scott Key Fitzgerald, përkthyer nga Fatbardha Statovci. Ky libër, botuar nga “Pema”, këtë javë mori Çmimin për veprën më të mirë të përkthyer, “Pjetër Bogdani”, sikurse edhe “Vogëlushja” nga Sarah Gysler, përkthyer nga Teuta Blakçori. Kjo pjesë botohet me leje të botuesit dhe të përkthyeses