Kulturë

Teatri i Operës dhe Baletit i Lituanisë pushton TikTok-un

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit i Lituanisë i është drejtuar TikTok-ut për të arritur te një audiencë me e gjerë gjatë bllokimit, duke tërhequr miliona shikues në një shfaqje të trupës së saj. Klipi 59 sekondash, me këngëtarë që interpretojnë në hollin e operës, u shikua 2.4 milionë herë në rrjetin social që kur u postua, më 7 shkurt.

“Sekreti ynë është i thjeshtë - patëm fat”, ka thënë Gediminas Seduikis, drejtor i Teatrit. “Ne u dërguam një e-mail të gjithë këngëtarëve tanë ku e shpalosëm këtë ide, dhe disa prej tyre u paraqitën në kohën e caktuar për të kënduar”, ka thënë Seduikis. “Fakti se dikujt tjetër i ka pëlqyer videoja, është fat”.

Të gjitha shfaqjet publike në teatër janë anuluar që nga tetori, për shkak të masave për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit në vendin me 2.7 milionë banorë.

Teatri, i cili zakonisht gjatë një viti ka rreth 150 mijë shikues, dëshiron të vazhdojë ta testojë fatin.

Të enjten, pesë balerina kërcyen në skenën kryesore të Operës Kombëtare përpara 1 mijë ulëseve boshe, duke filmuar një video “siluetë” në TikTok e cila shfaq vallëzimin duke kaluar nëpër pesë korniza të drurit të vendosura në skenë.

“Përparësia jonë është se ne mund të bëjmë gjëra të thjeshta me cilësi shumë të lartë. Shumë video të ngjashme me TikTok filmohen në një tualet. Dhe këtu jemi në një skenë të operës kombëtare, me pesë balerinë mesatarë, 60 kilovatë ndriçim dhe të gjithë stafin profesional”, ka thënë Seduikis.

Sfondi ishte me të bardhë dhe më pas u ndriçua me ngjyra të ndryshme përmes dritave. Seduikis filmoi 10 pamje të performancës së vallëzimit, duke u këshilluar me një koreograf i cili i udhëzoi valltarët.

"Është opera ajo që po garon me baletin. Të gjithë po presin me padurim që të shohin se kush po merr më shumë shikime”, ka thënë Jonas Sakalauskas, menaxher i përgjithshëm i Teatrit.

Reuters