Kulturë

“Shqipëria e re” – pol kulturor për artin dhe komunitetin

Descriptive Text

Prishtinë, 19 shkurt – Ish-Kinostudioja, nga një hapësirë e ndarë me gardhe, do të kthehet në një pol kulturor në shërbim të artit dhe komunitetit. Me këto ambicie është shpalosur të premten projekti për “Parkun e Artit”, që parasheh rivitalizimin dhe rikualifikimin e territorit të ish-Kinostudios “Shqipëria e re” në Tiranë.

Gjatë prezantimit të mbajtur në mjediset e Ministrisë së Kulturës, në praninë e të ftuarve nga bota e artit dhe kulturës, studioja projektuese “iRi”, e përfaqësuar nga arkitekti Gentian Agolli, e ka shkoqitur në detaje konceptin për këtë projekt.

Sipas arkitektit, fillimisht do të hiqen rrethojat e vendosura që më 1952, ndërkohë që të gjitha godinat afër do të bëhen pjesë e përbashkët e projektit.

“Më i rëndësishmi në këtë park është instalacioni për Antnio Gramshi”, ka thënë ai.

Të pranishëm ishin edhe ministrja Elva Margariti dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, që folën për vizionin e projektit që do të mbështet nga fondet e Bashkimit Evropian. Një milion eurot e dhëna do të shkojnë për sistemimin, restaurimin dhe infrastrukturën e kësaj hapësire.

Në fjalën e saj, ministrja Margariti ka thënë se ka marrë kohë gjetja e balancës së duhur mes së kaluarës dhe së ardhmes, hapësirave të gjelbra dhe atyre ekspozuese e krijuese.

“Ajo çka e kemi tepër për zemër është krijimi i qendrës kulturore, që parashikon të ketë që nga laboratorët fotografikë, studio muzikore, dublim, produksion, qeramikë, sallë kinemaje, hapësirë ekspozimi, madje edhe hapësira akomodimi për artistët rezidentë”, ka thënë ajo.

Projekti, siç u bë e ditur, do të mbulojë 16 mijë metra katrorë sipërfaqe të jashtme dhe mbi 2100 metra katrorë sipërfaqe të brendshme.

Po ashtu, sipas Margaritit, zona do të shërbejë jo vetëm për artin, por edhe për punësimin e artistëve.

Në anën tjetër, kryebashkiaku Erion Veliaj ka thënë se arti dhe kultura gjenerojnë ekonomi në kohërat që po kalojmë.

“Ky është një projekt që do të hasë në vështirësi si përherë, ku do t’i duhet të kalojë etapën e cinizmit dhe kur ndryshimi të vijë do t’i harrojmë të gjitha dhe do t’i gëzohemi kësaj gjëje të re që ka lindur”, ka thënë Veliaj. “Në këtë periudhë arti është një vaksinë për shpirtin dhe shëndetin mendor. Për këtë infrastrukturë shpirtërore ne kemi vërtet shumë nevojë”.

Me ish-Kinostudion “Shqipëria e re”, që ishte ndërtuar dhe përuruar nga sovjetikët më 10 korrik 1952, lidhet historia e fillimit të kinematografisë shqiptare.