Kulturë

Milan Šufflay – dëshmori i albanologjisë

Milan Šufflay – dëshmori i albanologjisë
Të premten janë bërë plot 90 vjet nga vdekja e Milan Šufflay (1879-1931), i cili u sulmua në pritë nga agjentët serbë. Për shqiptarët, ai konsiderohet edhe si “dëshmor i albanologjisë” për kontributet e paçmueshme në ndriçimin e shekujve mesjetarë (Foto: Arkivi Shtetëror Kroat)
 

Ai nuk rroi të shihte të botuara frytet e hulumtimeve të tij për historinë mesjetare shqiptare. Ditën kur historiani kroat u sulmua për vdekje në prag të shtëpisë, agjentët serbë morën me vete vëllimin e tretë të veprës në dorëshkrim “Acta Albanica”, e cila sot e kësaj dite konsiderohet e zhdukur. Në 90-vjetorin e vdekjes, Milan Šufflay është kujtuar nga kroatë e shqiptarë si intelektuali që nuk u dorëzua para ideve të Serbisë së Madhe

Prishtinë, 19 shkurt – Një mesoburrë kroat i kullandrisur si zotëri i vërtetë po ngjiste shkujdesur shkallët e apartamentit të tij në Zagreb. Në të tetëmbëdhjetën ditë të shkurtit të vitit 1931, ai mund të ishte i kredhur në mendime apo të ndiente lodhje nga puna, por nuk e kishte as idenë që po i avitej fundit të tij.

Dy si “hije” misterioze ia kishin zënë pritën në shkallë, kur me çekan e goditën në kokë. E nesërmja gdhiu me lajmin që përftoi zemëratë kudo në rrethet demokratike në Jugosllavinë monarkike: medievisti kroat Milan Šufflay kishte dhënë frymën e fundit në betejën e pamundur me plagët e rënda të sulmit të pabesë.