Kulturë

A po vdes demokracia amerikane?

Në nivelin më të dukshëm, rrëfimet e përhershme për ndikimin e parasë dhe lobistëve u fryjnë flakëve të skepticizmit publik për procesin demokratik. Zhgënjimi i shkaktuar prej rolit të parasë në politikë, dekurajon pjesëmarrjen politike. Por efektet janë edhe më të këqija sesa që mund t’i marrim me mend

Demokracia amerikane po përballet me një kërcënim të përnjëmendtë. Fuqia e parasë, me të madhe, po ia merr anën fuqisë së votuesve mesatarë për të ndikuar vendimet qeveritare. Megjithëse ky është një vajtim i kahershëm në politikë, studiuesit e shkencave shoqërore kanë dëshmi konkrete për dëmin që po bëhet.

Problemi na sillet ndërmend derisa shohim mënyrën e fushatave tona politike. Kundërshtarët e reformës së financimit të fushatave e kanë rastin më të mirë tani. Gjatë viteve të kaluara, ata kanë parë me kënaqësi derisa partitë politike dhe Gjykata Supreme kanë shkërmoqur ngadalë reformat e financimit të fushatës së epokës së “Watergatet”.

Gjykata Supreme nxori vendime duke vlerësuar se pengesat kushtetuese për rregullimin e financimit të fushatës dhe organizatat e pavarura, hapën shtigje të reja për të ndikuar politikanët, derisa kundërshtarët e reformave thonë se është më mirë pa to. Në rastin më të mirë ata pretendojnë se paratë dhe lobimi gjithnjë kanë qenë pjesë e politikës së këtij vendi: Nuk është se ka shumë lidhje me popullin dhe se kështu ka mbijetuar republika.

Argumentet e tyre injorojnë pasojat e tmerrshme që ndikimi i fondeve private ka në sistemin tonë demokratik.

Kundërshtarët e reformave i mbyllin sytë para dëshmisë thelbësore se si shteti po krijon një fushëveprim të pabarabartë që shumë qytetarë i shkëput nga kthimi i së drejtës për të votuar. Politikat e tilla, si sistemi i taksave, po anojnë kah amerikanët më të pasur, duke përkeqësuar rrjedhimisht edhe më shumë ciklin e pabarazisë prej së cilës populli nuk mund të shkëputet. Sikurse kujton Elizabeth Warren në librin e saj të ri, bankat e mëdha kanë dominuar bindshëm ndikimin derisa politikëbërësit po menaxhonin krizën e vitit 2008.

Në nivelin më të dukshëm, rrëfimet e përhershme për ndikimin e parasë dhe lobistëve u fryjnë flakëve të skepticizmit publik për procesin demokratik. Zhgënjimi i shkaktuar prej rolit të parasë në politikë, dekurajon pjesëmarrjen politike.

Por efektet janë edhe më të këqija sesa që mund t’i marrim me mend. Në një shkrim akademik që ka rrokur vëmendjen e madhe, studiuesit e shkencave politike, Martin Gilens (Princeton) dhe Benjamin Page (Northwestern) kanë spikatur se si rezultat i proceseve tona politike, amerikanët më të kamur kanë ndikim të shpërputhshëm në llojet e politikave publike që i harton Qeveria. Qytetarët e rëndomtë kanë rëndësi të madhe, por vetëm kur pajtohen me amerikanët më të pasur. Nëse jo, atëherë dukshëm nuk iu dëgjohet zëri.

Bazuar në një databazë të madhe të opinionit publik dhe në një studim të 1779 nismave politike të 20 vjetëve të fundit, Gilens dhe Page raportojnë se shumica e amerikanëve kanë pak ose hiç ndikim në llojet e politikave që i nxjerr Qeveria. “Kur shumica e qytetarëve nuk pajtohen me elitat ekonomike dhe/ose me interesat e organizuara, ata përgjithësisht humbin”. Për shkak të mënyrës si funksionon sistemi ynë, interesat e të pasurve ia dalin t’i bllokojnë ndryshimet që i kundërshtojnë.

Kundërshtarët e reformave mbyllin sytë para dëshmisë thelbësore se si shteti po krijon një fushëveprim të pabarabartë që shumë qytetarë i shkëput nga kthimi i së drejtës për të votuar. Politikat e tilla, si sistemi i taksave, po anojnë nga amerikanët më të pasur, duke përkeqësuar rrjedhimisht edhe më shumë ciklin e pabarazisë prej së cilës populli nuk mund të shkëputet

Interesat e të pasurve ishin pothuajse pesëmbëdhjetëfish më të mëdha për t’iu marrë parasysh preferencat prej politikëbërësit për çështje, si politika e taksave, sesa qytetarëve të rëndomtë.

Ky është kulmi i ndryshimeve që janë jetësuar për dekada me radhë. Mobilizimi i interesave të biznesit dhe të amerikanëve të pasur është përshkallëzuar në vitet ’70 pas zgjerimit të rolit të Qeverisë federale.

Paul Pierson dhe Jacob Hacker e kanë shpalosur në librin e tyre të jashtëzakonshëm “Winner Take All Politicis” organizimin e fuqishëm dhe të gjerë të bashkësive financiare dhe të korporatave në operacione lobimi dhe teknika të donacioneve të fushatave, jashtëzakonisht të sofistikuara, që jetësonin aftësinë e tyre për t’i ndikuar politikëbërësit.

Gjatë dekadave të fundit, rezultuan me vendime kongresi, si uljet e taksave regresive që favorizonin amerikanët më të pasur (duke filluar prej shkurtimit të taksave nga Ronald Reagani më 1981) dhe derregullimin ekonomik, që favorizuan interesat e tyre, duke hapur plotësisht sektorin financiar në vitet 1990.

Njëherësh, ato interesa, të më të pasurve, u mobilizuan për të luftuar kundër rregullimeve të financimit të fushatës, të vendosura pas “Watergatet”. U angazhuan gjatë fushatave të kandidatëve presidencialë të dy partive, përfshirë George W. Bushin (më 2000, për zgjedhjet paraprake) dhe Barack Obaman (më 2008, për zgjedhje të përgjithshme presidenciale), derisa u vendos për të refuzuar publikisht sistemin e fushatave të financuara që u kërkonte të pranonin tavanet e shpenzimeve.

Partitë politike sollën mekanizma të rinj, si paratë “e buta”, për të mos u distancuar krejtësisht nga rregullat, derisa Gjykata Supreme, nëpërmjet një serie vendimesh historike, davariti reformat e vitit 1974.

Një prej rezultateve më të dëmshme të këtyre ndryshimeve ishte fakti se përfitimet politike që po shkonin në favor të atyre me mjete më të mëdha financiare, përkeqësuan pabarazinë ekonomike që është kthyer në pjesë përcaktuese të kohës moderne.

Këso lloj spikamash duhet të jenë tronditëse për amerikanët dhe përbëjnë më shumë sesa dëshmi të bollshme për rreziqet që po shfaqen nëpërmjet shpartallimit të vazhdueshëm të ligjeve të financimit të fushatës dhe dështimit për të zbatuar rregulla serioze për lobimin.

Për të gjithë ata që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe nevojën për garë, duhet t’i hedhim një sy për së afërmi një sistemi politik në të cilin shumicës së amerikanëve nuk u dëgjohet zëri në proces dhe ku, për më keq, rezultatet njëanësohen kah segmente të caktuara të qytetarëve të cilët mund të paguajnë për t’iu shkuar zëri. Kjo është një çështje ku e majta dhe e djathta, sikurse edhe qendra e zbehtë, mund të arrijnë marrëveshje.

Duke pasur parasysh vendimet e Gjykatës Supreme, si FEC vs. Citizens United dhe FEC vs. McCutcheon, një amendament kushtetues mund të jetë i domosdoshëm nëse dëshirohet të ketë ndonjë mundësi të kufizimit të kontributeve dhe shpenzimeve. Njëherësh, shtetet federale mund të kthehen në fushëbetejë qendrore për eksperimentim me reforma të reja.

Derisa nuk ndërmerren reforma, Gilens dhe Page na kanë spikatur se shteti po ia hap udhën parasë që ngadalë ta tkurrë demokracinë që e ndërtoi Amerikën.

(Autori, profesor i historisë dhe i çështjeve publike në Universitetin e Princetonit, është kontribuues i televizionit amerikan CNN, prej të cilit është marrë opinioni.)

Përktheu: Rexhep Maloku