Kulturë

Institucionalizohet kërkesa për mbrojtjen e ish-Burgut të Gurrakocit

Rreth një mijë nënshkrimet e mbledhura në përkrahje të iniciativës që ish-Burgu i Gurrakocit të marrë statusin e monumentit i janë dorëzuar Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Pejë. Të njëjtat i janë dorëzuar edhe Komunës së Istogut.

Kjo nismë është jetësuar pas paralajmërimeve të Komunës së Istogut se ish-Burgu do të rrënohet në emër të asaj se paraqet rrezik për qytetarët.

“Burgu i Gurrakocit njihet si një prej burgjeve më famëkëqija në Kosovë. Që pas Luftës së Dytë Botërore aty u maltretuan e u keqtrajtuan veprimtarë të shumtë shqiptarë, deri në kohën e luftës së fundit, ku shërbeu si kamp përqendrimi, ku u mbajtën peng qindra qytetarë të Istogut dhe jo vetëm nën tortura çnjerëzore”, shkruhet në peticionin e nisur nga një grup i ish-të burgosurve të luftës së fundit në krye me Burim Kabashin. Aty kanë qartësuar se rrënimi i ish-Burgut do të jetë rrënim i historisë dhe fshehje e gjurmëve në objektin ku Serbia kreu krime e tortura sistematike mbi shqiptarët ndër vite.

“Me këtë peticion ne, qytetarët e Kosovës, duke vendosur nënshkrimin dhe numrin personal bëjmë të ditur se jemi për shfuqizimin e vendimit të Komunës së Istogut për rrënimin e Burgut të Gurrakocit dhe kthimin e tij në muze”, shkruan në peticionin që tashmë u është dorëzuar institucioneve.

“Kemi rreth një mijë nënshkrime të qytetarëve nëpërmjet të cilave kërkojmë që të mos rrënohet ish-Burgu, më pas të shpallet monument dhe të bëhet muze e të shërbejë si vend i dëshmive dhe kujtesës për atë që ka bërë regjimi serb në Kosovë”, ka thënë Kabashi.

Gjatë muajit dhjetor, por edhe në shkurt të vitit të kaluar, KOHA ka raportuar se bodrumi i ndërtesës është i gurtë. Ka shërbyer edhe si qeli. Aty nuk mund të hyhet. Uji rrjedh vazhdimit, ashtu siç rrjedh edhe në anët e tjera të objektit. Banorët dyshojnë se uji është lëshuar qëllimshëm që të dobësohen strukturat, në mënyrë që të forcohen arsyet për rrënim. Ndërtesa është e Ministrisë së Drejtësisë, kurse parcela i takon Komunës së Istogut. Në emër të asaj se objekti paraqet rrezik për qytetarët, Komuna ka marrë pëlqimin e Ministrisë së Drejtësisë për rrënim.

Objekti nuk është pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Por deri më tash as autoritetet e trashëgimisë kulturore s’kanë pasur interes për këtë objekt.

Zyrtarët e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Pejë kanë thënë se do të merren me këtë rast, por kanë kërkuar kompletim të dosjes.

“Ne kemi kërkuar edhe historikun, kopjen e planit, fletën poseduese dhe disa fotografi. Më pas e verifikojmë edhe vetë gjendjen faktike. Pastaj e rekomandojmë me shkrim në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës”, ka thënë Shpresa Gjonbalaj, drejtoreshë e QRKT-së së Pejës. Ka shtuar se propozimet për mbrojtje të aseteve zakonisht MKRS-së i drejtohen në shtator, por në këtë rast do të dërgohet menjëherë posa të kompletohet dosja.

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, më 16 dhjetor nuk kishte treguar disponim për shndërrimin e ish-Burgut në muze. Kishte thënë se nuk e ka ndërmend të ngutet me rrënim dhe se do të diskutohet për të ardhmen e ish-Burgut.

Për të primare ka qenë që të zhvendosen familjet që kanë jetuar aty prej pasluftës së fundit. Hapësira ishte shndërruar në strehë të familjeve me kushte të vështira ekonomike. Për ato të dyja që kishin ngelur, kishte thënë se në ditët në vazhdim do të nënshkruhet kontrata për të ndërruar vendbanimin. Ndërtesa qysh prej dhjetorit nuk ka as energji elektrike.