Kulturë

Familja e Çettës kundër shtatores në oborrin e Katedrales: Veprimtaria e tij ishte mbipartiake e mbifetare

Ipeshkvia e Kosovës ia ka mësyrë që shtatoren e Anton Çettës ta vendosë në oborrin e katedrales “Nënë Tereza”. Bëhet fjalë për veprën e skulptorit Fatmir Hoxha. Një tjetër, e punuar nga Agon Qosa, është përzgjedhur e financuar nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale e Komuna e Prishtinës, në nëntor të vitit të kaluar, ia caktoi lokacionin – në oborrin e Fakultetit të Filologjisë. Por është familja e Çettës e cila të mërkurën vonë ka reaguar ndaj vendimit të Ipeshkvisë.

“Familja e prof. Anton Çettës deklaron që nuk është në pajtueshmëri me vendimin që është marrë nga Ipeshkvia e Kosovës, që më datën 15 janar 2021, shtatorja e prof. Anton Çettës të vendoset në oborrin e katedrales ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë”, thuhet në reagimin e familjes. Sipas familjes, “ky veprim nuk qëndron në përputhshmëri me misionin e prof. Çettës” pasi “veprimtaria e tij ka qenë në sferën e shkencës, arsimit dhe politikës kombëtare në një kuptim mbipartiak e mbifetar”. “Kujtesa për këtë veprimtari duhet të ruhet në hapësirat publike që i përgjigjen më mirë misionit të tij të madh kombëtar dhe duhet të ruhet si e tillë edhe për brezat që vijnë pas”, ka vlerësuar familja Çetta.

Image
Në maj të vitit 2015, shtatorja e Çettës dhe ajo e presidentit Ibrahim Rugova, të realizuara nga Fatmir Hoxha, qenë zhvendosur te shkallët e katedrales “Nënë Tereza”

Reagimit i është bashkëngjitur edhe shkresa që familja e prof. Anton Çettës ia ka drejtuar zyrtarisht Imzot Dodë Gjergjit - Ipeshkëv i Kosovës, më 24 dhjetor të vitit të kaluar.

“Ne vlerësojmë nismën Tuaj për të respektuar figurën multidimensionale të babait tonë. Por duke njohur mirë shpirtin e tij dhe duke qenë të vetëdijshëm për jetën dhe veprën e tij, vazhdojmë të besojmë fort se misioni i tij fisnik u realizua duke u bazuar në vlerat e pajtimit, paqes, tolerancës fetare e, mbi të gjitha, mbi dashurinë e madhe ndaj popullit të vet shqiptar. Ne vlerësojmë se figura e babait duhet të jetë model që transmeton tek gjeneratat e reja vlerat duke tejkaluar të gjitha dallimet e një shoqërie multireligjioze ku ndodhemi ne, model i paanësisë dhe dinjitetit”, shkruhet në shkresën e nënshkruar nga vajzat e Anton Çettës, Donika Çetta-Junçaj dhe Agata Çetta. Po aty shkruhet se vendosja e shtatores brenda mureve të oborrit të Katedrales do të binte ndesh me parimet dhe qëllimet e tij.

“Prandaj ne si familje nuk e miratojmë një vendim të tillë dhe shpresojmë shumë në mbështetjen Tuaj dhe mirëkuptimin e vendosjes së shtatores përballë Fakultetit Filologjik, aty ku e ka miratuar Kuvendi Komunal”, thuhet në shkresë.

Oborri i Fakultetit të Filologjisë, mbi parkingun nëntokësor që ka nisur të ndërtohet, është zyrtarizuar si lokacion për shtatoren e Anton Çettës, më 10 nëntor të vitit të kaluar, me vendimin që është marrë në seancën e Kuvendit Komunal të Prishtinës. Me këtë mori epilog zvarritja e përplasjet katërvjeçare midis institucioneve rreth lokacionit, por inaugurimi i shtatores nuk do të mund të bëhet së paku edhe nja një vit e gjysmë.

KOHA ka marrë vesh se Ipeshkvia e Kosovës ka vendosur që pos shtatores së Çettës ta vendosë edhe atë të presidentit Ibrahim Rugova, po ashtu vepër e skulptorit Fatmir Hoxha. Ajo e pajtuesit të gjaqeve dhe mbledhësit të folklorit kishte qëndruar disa vjet në oborrin e shtëpisë së artistit, në rrugën “Qamil Hoxha”, në qendër të Prishtinës. Për një kohë, bashkë me atë të presidentit Rugova, qe zhvendosur te hyrja e katedrales “Nënë Tereza”.

Image
Shtatorja e presidentit Rugova