Kulturë

“Kreolët e Ballkanit” në Prishtinë me dramën e kohës së ish-Jugosllavisë

E shkruar në vitin 1989, drama “Kreolët e Ballkanit” sjell rrëfimin për ditët e mjegullta të ish-Jugosllavisë. Vjen si shfaqje mysafire në Teatrin Kombëtar të Kosovës me një histori të pafolur, të cilën Enver Petrovci tashmë e ka treguar në Tiranë, Mal të Zi e Serbi, e tani ia shfaq edhe publikut në Kosovë. Zakonisht fryt i martesave ndërkombëtare e ndërracore, në dramën e Enver Petrovcit kreolët janë fëmijët e preferuar të ish-Jugosllavisë. Të ngjizur mes shqiptarëve e serbëve, ata më së miri përfaqësojnë idealin e asaj kohe: vëllazërim-bashkimin.

“Me qëllim i kam quajtur kreolë, edhe pse nuk janë të lindur nga raca të ndryshme, janë nga prindër serbo-shqiptarë. Njëri është i përcaktuar për qeveri e njëri për opozitë të rrezikshme, e cila përveçse e dëshiron rrënimin e qeverisë, kërkon liri e shtet. Kjo dramë fillon në kohën e demonstratave të mëdha, kur shqiptarët kërkonin republikë”, ka thënë Petrovci të hënën, një ditë para premierës në TKK, si produksion i teatrit eksperimental “Kujtim Spahivogli” të Tiranës. Shfaqja së cilës ia ka bërë edhe regjinë, sipas tij, prek një temë që korrespondon mirë tek çdo audiencë që ka përjetuar luftë.

Me nisjen e përçarjeve në ish-Jugosllavi, kreolët idealë të Ballkanit kthehen në më të përndjekurit e kohës. Ata nuk janë më shembull i bashkimit, përkundrazi, duhet të përcaktohen në vetëm një shtet e me vetëm një prind.

“Kur ka ndodhur lufta këta fëmijë kanë qenë më të rrezikuarit. Ata që nuk janë përcaktuar e nuk janë rreshtuar me një shtet i kanë vrarë ose kanë ikur, e përcaktimi ka qenë i dhimbshëm”, ka thënë aktori i njohur, duke shtuar se këta njerëz kanë jetuar edhe në Kosovë e për ta nuk ka shkruar kurrë askush.

Megjithatë, ka thënë ai, kjo dramë mbi të gjitha flet për dashurinë dhe, në fund, të gjitha vrazhdësitë që ndodhin mes personazheve munden nga dashuria.

Qëllimi i Petrovcit është që përmes dramës ta dërgojë gjeneratën e re në botën ish-jugosllave, për ç’arsye, në të ka lidhur dy kohëra: atë të para dhe pas luftës në Kosovë. E ndryshe nga të rinjtë, ai ka thënë se gjeneratat që e kanë jetuar vetë këtë kohë, në një mënyrë apo tjetrën, do ta gjejnë veten në “Kreolët e Ballkanit”.

Për të ky tekst është i veçantë, për shkak të rrethanave dhe kohës kur është shkruar.

“Sot kur e lexoj habitem se si kam ditur ta shkruaja. Ndoshta që ka qenë kohë aq e zymtë, aq me presion, sepse kur e kam shkruar, kam jetuar në Beograd me familje e kam qenë nën shumë presion. Më është dashur të jem shumë delikat e t’i përzgjedh mirë fjalët për t’u shprehur”, ka thënë Petrovci për tekstin që, sipas tij, sot nuk do të mund ta shkruante as përafërsisht si në 89-n.

Teksti “Kreolët e Ballkanit” është përkthyer edhe në anglisht e këtë Petrovci thotë ta ketë bërë qëkur drama të mos jetë më aktuale në Kosovë e në Bosnjë, të dëgjohet në Nagorno Karabakh, Kurdistan e Katalonjë, në çdo vend ku ka luftë e konflikt.

“Kur shkruaj nuk mendoj vetëm për publikun shqiptar, e bëj për botën”, ka thënë Petrovci.

“Kreolët e Ballkanit” do ta nisë vitin 2021 në Teatrin Kombëtar të Kosovës, por po kjo shfaqje vite më parë ishte shfaqja e parë e luajtur menjëherë pas luftës.

“E pata punuar me studentë, e pati porositur Vanessa Redgrave, e ishte planifikuar që ajo të luante një prej roleve kryesore, Vanessa në gjuhën angleze e të tjerët në shqip. Nuk ishte pengesë për dramën. Ajo erdhi në Kosovë, e nisi të merrej me festivalin ‘The Return’, nuk na mbeti shumë kohë për përgatitje. Shfaqjen e realizuam me dy monologë”, ka kujtuar Petrovci, i cili më në fund e shfaq këtë histori të lënë përgjysmë.

Në fund të shfaqjes me aktoren e madhe britanike, Vanessa Redgrave, u prezantua edhe një pllakat e në të shkruante “Shfaqje në vazhdim”, por Petrovci nuk e kishte menduar kurrë se do të kalonte kaq kohë për këtë vazhdim.

“Kreolët e Ballkanit” ishte dhënë premierë në teatrin kombëtar eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë, në fund të vitit 2018. Në qershor të 2019-s ishte dhënë në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd, në kuadër të edicionit të gjashtë të festivalit “Mirëdita, Dobar Dan!”

Për TKK ishte gati të shfaqej muaj më parë, por qe shtyrë për shkak të pandemisë. Blin Sylejmani, Agron Shala, Vanesa Petrovci, Leonit Maloku e Armend Zeqiri janë kasta e aktorëve në “Kreolët e Ballkanit.