Kulturë

Gjysmë milioni euro më pak për kulturën e pavarur

Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021 në kodin “Përkrahja për kulturën”, janë paraparë 1 milion e 954 mijë euro. Prej tyre 700 mijë janë të dedikuara për bienalen evropiane të artit bashkëkohor “Manifesta 14” që vitin e ardhshëm do të mbahet në Prishtinë. Në “subvencionet dhe transferet” që do t’i bëjë Ministria e Kulturës nga buxheti i kulturës së pavarur hyjnë edhe çmimet vjetore që i ndan ky institucion. Ato llogaritet të marrin nja 70 mijë euro. Kur llogariten krejt këto, për përkrahjen e projekteve kulturore e artistike mbesin 1 milion e 24 mijë euro

Prishtinë, 7 dhjetor – Skena e pavarur kulturore sivjet do të ketë përkrahje më të vogël nga shteti. Thirrja e përvitshme e Ministrisë së Kulturës për të përkrahur projekte kulturore e artistike do të bëhet duke llogaritur në shifra të tjera. Ministria e Kulturës ka fiks 500 mijë euro më pak në kuletë për këtë thirrje që planifikohet të hapet gjatë këtij muaji.

Por, situata do të jetë edhe më e rëndë pasi burimet financiare për këtë sektor janë shkurtuar edhe sa i përket përkrahjes ndërkombëtare për artin në Kosovë. Në dhjetor është bërë e ditur se Bashkimi Evropian nuk do ta përkrahë më programin “Kultura për ndryshim” nëpërmjet të cilit financonte ngjarje kulturore. Gjatë vitit 2019 dhe 2020 nëpërmjet “Kulturës për ndryshim” ishin dhënë gjysmë milioni euro. Krejt kjo konsiderohet si regres sa i përket përkrahjes së artit dhe kulturës së pavarur në vend.

Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021 në kodin “Përkrahja për kulturën”, janë paraparë 1 milion e 954 mijë euro. Prej tyre 700 mijë janë të dedikuara për bienalen evropiane të artit bashkëkohor “Manifesta 14”, që vitin e ardhshëm do të mbahet në Prishtinë duke e bërë kryeqytetin nikoqirin e parë në Ballkan të kësaj ngjarjeje.

Në “subvencionet dhe transferet” që do t’i bëjë Ministria e Kulturës nga buxheti i kulturës së pavarur hyjnë edhe çmimet vjetore që i ndan ky institucion. Ato llogaritet të marrin nja 70 mijë euro. Kur llogariten krejt këto, për përkrahjen e projekteve kulturore e artistike mbesin 1 milion e 24 mijë euro.

“Vitin e kaluar janë dhënë 1 milion e 530 mijë euro”, ka thënë Jehona Shyti, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në MKRS. Ishin përkrahur 452 projekte. Shumë prej tyre nuk ishin realizuar shkaku i pandemisë. “Disa na kanë njoftuar se nuk mund t’i realizojnë dhe jemi marrë vesh që me ato mjete të organizojnë ngjarjet sivjet. Por, ka prej tyre edhe që i kanë kthyer mjetet”, ka thënë Shyti. Sipas saj, ka pasur vonesa në pagesa, por në fund të vitit janë kryer shumica prej tyre.

MKRS-ja në fund të vitit kishte përkrahur edhe 269 projekte individuale në kuadër të Fondit për rimëkëmbje ekonomike. Kjo ndihmë ishte bërë shkaku i pandemisë. Nga 2.5 milionë euro që ia kishte ndarë Qeveria, prej tyre 461 mijë i ishin dhënë kulturës. Por, MKRS-ja kishte shfrytëzuar edhe buxhetin e trashëgimisë kulturore duke i përkrahur këto projekte me 594 mijë euro. Kësisoj në përgjithësi, nga të dyja thirrjet gjatë vitit MKRS-ja kishte përkrahur 1006 projekte. Sivjet pritet që MKRS-ja të marrë edhe 2.5 milionë nga Fondi për rimëkëmbje, por nuk dihet se sa prej tyre do të destinohen për kulturën. Një tjetër thirrje për organizata kulturore në kuadër të Fondit për rimëkëmbje ekonomike është paralajmëruar nga vetë ministrja në detyrë e Kulturës, Vlora Dumoshi.

KOHA ka raportuar qysh vitin e kaluar se për dallim prej vitit 2020 Ministria e Kulturës sivjet do të ketë 9.2 milionë euro më pak. E kultura e pavarur del të jetë goditur më shumë. Me 500 mijë euro më pak i bie të ketë mbështetje për 33 për qind më të vogël.

Duke llogaritur në minus një të tretën e buxhetit shtetëror për kulturën e pavarur dhe mungesën e programit “Kultura për ndryshim”, dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se krejt bashkë janë shumë për një vend që zakonisht ka qenë në minus sa i përket përkrahjes së kulturës.

“Kjo e thellon krizën edhe më shumë. Në vend që me pas një infuzion shtesë që me u rimëkëmbë, shkon në minus. Krijohen probleme që reflektohen sivjet edhe në vitin që vjen”, ka thënë ai. Sipas tij, kjo situatë do të lërë pasoja në komunitetin kulturor dhe në shoqërinë kosovare.

“Është sindromi i asfaltit”, ka thënë ai.

Këtë e kishte paralajmëruar edhe në dhjetor të vitit të kaluar në ngjarjen që i dha fund programit “Kultura për ndryshim”.

“Viti që po vjen, nuk duket të jetë vit optimist e kam frikë, nuk do të jenë as vitet në vazhdim. Me gjasë, do të vazhdojmë të shohim më shumë asfalt, më shumë buxhet që ndahet për projekte multi-milionëshe ‘kombëtare’ si projekti i ‘Operës…’ legjendare të Ministrisë së Kulturës apo si ajo mbështetja e premtuar multimilionëshe e BE-së për sallën kulturore multifunksionale dhe ngjashëm”, kishte thënë ai.

Situata e krijuar është tejet e vështira edhe nga perspektiva e regjisorit Florent Mehmeti, i cili menaxhon me teatrin “Oda”.

Sipas tij, aktualisht në Evropë janë duke u matur përqindjet që shtetet kanë ndarë për t’i dalë në ndihmë artit dhe kulturës, kurse në Kosovë flitet për regres.

“Kjo është shumë absurde, por fatkeqësisht ka ndodhur dhe po ndodh në Kosovë. Artin dhe kulturën e konsiderojnë si një sektor me aktivitete dhe jo si sektor vital i jetës së qytetarëve. Nuk ka sende mandatore në kulturë pasi njeriu është qenie shoqërore dhe pa kulturë nuk e di si do të jetë qenie shoqërore”, ka thënë ai. Gjendjen e ka përshkruar si “një tmerr të vërtetë”.

“Plus thirrja për përkrahjen e projekteve kulturore e artistike është shumë gjenerale dhe nga ai 1 milion, një pjesë shumë e vogël shkojnë në vend të vetin. Një pjesë e madhe shkojnë në vende të gabuara dhe pa ndikim. Kjo është për të ardhur shumë keq”, ka thënë ai.

KOHA, të mërkurën, ka raportuar se buxheti për sivjet u është zbritur edhe shumicës së institucioneve qendrore të kulturës. Në përgjithësi për paga dhe mëditje, shpenzime komunale, mallra e shërbime dhe projekte Teatri Kombëtar i Kosovës ka buxhet prej 940 mijë eurosh, Qendra Kinematografike e Kosovës 793 mijë euro, “Shota” 504 mijë euro, Filarmonia 880 mijë, Galeria Kombëtare e Kosovës 318 mijë e Baleti Kombëtar i Kosovës 446 mijë. Në përgjithësi janë 3 milionë e 881 mijë euro.

Ndryshe, prej 44.1 milionë eurosh sa i kishte në dispozicion për vitin 2020 – pa i llogaritur 6 milionë eurot që iu morën me rishikim në qershor – Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, sipas Ligjit të buxhetit për sivjet, ka 34 milionë e 905 mijë euro.