Arkeologët nga Universiteti Shtetëror i Kemerovos po gërmojnë vendin Tepsei të bazenit Minusinsk, që gjendet në rrethin e Krasnoturanskyt në brendësinë e thellë të Siberisë. Synimi i kërkimit të tyre është për të përshkruar kulturën dhe historinë e kësaj treve, që përmbledh 27 kilometra katrorë.
Ky truall përfshin malin Tepsei (630 metra i lartë), si dhe luginën lumore. Në këtë vend tashmë janë hasur një numër artefaktesh arkeologjike, varreza, si dhe fshatra të vjetra të kulturës Yeinisey. Arti shkëmbor aty varion prej kohës së gurit deri në kohërat etnografike dhe përfaqësohet nga petroglife të shumta në shkëmbinj, pllaka horizontale të gurta, si dhe gropa të ndryshme.
Arti shpellor i Tepseit për herë të parë kapi vëmendjen e Departamentit rus të Arkeologjisë në vitet ‘80, kur një ekip arkeologësh, në krye me B.N Pyatkin, qëmtoi petroglifet vendore. Më 1995, arti shkëmbor i Tepseit u bë subjekt i një programi ndërkombëtar francezo-rus të mbikëqyrur nga Yakov Sher dhe Henry-Paul Frankfor.
Ekipi studioi efektin e liqenit artificial në petroglifet lokale. Më 2018, ai nisi botimin e një katalogu për artin prehistorik të malit Tepsei, duke përdorur metodat tradicionale dhe ato inovative.
Kështu, arkeologët kryen një hetim ajror të terrenit, hartografuan territorin, si dhe bënë kërkime të tjera me dronë duke studiuar vende të paarritshme.
Ata në fund kanë përfunduar modele 3D për 15 sipërfaqe të këtij arti shkëmbor. \ (phys.org)
Përktheu: Salih Mehmeti