Kulturë

Shtatorja e Mary Wollstonecraft – vepra më polarizuese e vitit 2020

Shtatorja e Mary Wollstonecraft – vepra më polarizuese e vitit 2020
Disa e duan, të tjerët e urrejnë. Për skulpturën dedikuar Mary Wollstonecraft në veri të Londrës, ka mendime të kundërta. Fotografitë: Jill Mead / The Guardian.
 

(The Guardian) – “Është e mrekullueshme, mendoj se është jashtëzakonisht e bukur”, thotë Hilary Everett, një punonjëse sociale në pension, gjersa kalon pranë një prej veprave më të diskutueshme, më të debatuara dhe më polarizuese të artit publik të këtij viti.

Por Michaela Crimmin, studiuese e artit, e cila kalon disa minuta më vonë, nuk pajtohet: “Unë e urrej atë. Nuk ka asgjë estetike në të. Kjo është një nga shumë pak hapësirat e jashtme publike në zonën tonë dhe ta vendosësh këtë këtu është shumë e pacipë. Unë e kundërshtoj materialin që është përdorur, formën dhe mendoj se skulptura aktuale duket qesharake në atë bazament”.