Kulturë

Fondacioni “Çavdarbasha” përsërit kërkesën që t’u kthehet “Pritja”

Sebahate Çavdarbasha, udhëheqëse e fondacionit me emrin e skulptorit të njohur Agim Çavdarbasha (1944-1999), thotë se i është gëzuar lajmit për vendimin e Qeverisë për shpronësimin e 121 veprave që ishin vendosur ndër vite në hotelin “Grand”. Por, ka përsëritur kërkesën që skulptura “Pritja” e Çavdarbashës, t’i kthehet fondacionit e familjes dhe t’u bashkohet veprave të tjera në shtëpinë-muze të artistit me nam në Çagllavicë

Prishtinë, 25 dhjetor – Menjëherë pasi Qeveria ka vendosur për shpronësimin e 121 veprave të artit i kanë takuar fondusit të hotelit “Grand”, familja e skulptorit, Agim Çavdarbasha ka rikthyer kërkesën që “Pritja” t’i takojë familjes. Këtë kërkesë e ka përsëritur Sebahate Çavdarbasha, bashkëshortja e skulptorit të ndjerë, udhëheqëse e fondacionit “Çavdarbasha”.

Janë dashur gjashtë vjet që procesi që kishte nisur midis Ministrisë së Kulturës dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit të zyrtarizohet me një vendim të Qeverisë së Kosovës. Janë veprat e artistëve më me nam të Kosovës dhe jo vetëm. Të enjten mbrëma Qeveria e Kosovës ka vendosur që të aprovohet kërkesa e Ministrisë së Kulturës për shpronësimin e këtyre veprave.

“Veprat e artit sipas pikës një të këtij vendimi do të barten në Galerinë Kombëtare të Kosovës, e cila do të kujdeset për ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre”, shkruhet në pikën e dytë të vendimit. Siç ka raportuar disa herë KOHA, jo rrallë GKK-ja është ankuar se s’ka kushte për t’i mbajtur. Bartja në Muzeun e Kosovës më 2016 qe përmendur si opsion.

Në vendimin e ekzekutivit po ashtu shkruhet se në rast të nevojës për vlerësimin e veprave artistike për këtë Qeveria do të themelojë komision të veçantë. Vendimi hyn në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Gjithçka u inicua në vitin 2012 kur Sebahate Çavdarbasha, udhëheqëse e fondacionit “Çavdarbasha” e bëri një kërkesë për kthimin e veprës së bashkëshortit të saj të ndjerë.

“Sa i përket veprës së Agimit, ‘Pritja’ e cila qe shumë e shumë vjet qëndron në hotelin ‘Grand’ e ka vite që është nën administrimin e AKP-së – duke e ditur që ajo vepër është jona, e fondacionit apo familjes, qysh në vitin 2012 kam bërë kërkesë në AKP për tërheqjen e saj”, ka thënë Çavdarbasha të premten për KOHË-n. Sipas saj, gjithmonë i është premtuar që do t’ia kthejnë, mirëpo kjo s’ka ndodhur as deri tash. “Shumë drejtorë janë ndërruar, shpesh kam bërë kërkesa. Dhe mendoj që unë jam iniciatorja e kthimit të veprave që ndodhen në ‘Grand’, sepse deri në vitin 2012 askush nuk i ka kërkuar”, ka thënë ajo. Ajo ka thënë se do të bëjë kërkesë që vepra “Pritja” t’i kthehet Muzeut të Agim Çavdarbashës që ndodhet në Çagllavicë.

“I gëzohem lajmit tani që dëgjova që Ministria e Kulturës do t’i tërheqë. Mendoj që të gjithë ata e dinë – duke filluar prej njerëzve që merren me trashëgiminë kulturore aty e deri te Ministrja – që vepra të cilën unë e kërkoj është e Agimit. Kështu që nëse ata mendojnë t’i vendosin ose në Muzeun e Kosovës ose në Galeri Kombëtare, edhe kjo vepër e ka muzeun e vet, e ka shtëpinë e vet aty ku është punuar dhe aty mendoj që duhet të qëndrojë përgjithmonë”, ka thënë ajo.

Gazeta për këtë çështje ka raportuar qysh prej vitit 2014. Asokohe Komisioni i përbërë nga përfaqësues të AKP-së dhe Ministrisë së Kulturës, të Rinisë e të Sportit ishte themeluar për t’i identifikuar, inventarizuar dhe sistemuar të gjitha veprat që ndodheshin brenda objektit të hotelit në qendër të Prishtinës. Iniciativa për formimin e një komisioni të tillë kishte ardhur pas kërkesës së familjarëve të skulptorit të ndjerë Çavdarbasha, për ta rimarrë njërën prej skulpturave që ndodhej në hollin e “Grandit” dhe që sipas familjes, dekada më parë ishte dhënë vetëm për ekspozim aty. Atelieja e Agim Çavdërbashës në Çagllavicë ishte dëmtuar në trazirat e marsit të vitit 2004. Rinovimi i saj nga Ministria e Kulturës ishte zvarritur deri në maj të vitit 2014.

Sa i përket kërkesës së familjes Çavdarbasha për rimarrjen e veprës “Pritja”, zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi atë vit kishte thënë se Agjencisë Kosovare të Privatizimit nuk i është ofruar asnjë dokument që dëshmon pronësinë e skulpturës. “AKP-ja ka hulumtuar dokumentacionet e NEWCO Grandit në lidhje me këtë çështje, por nuk ka mundur të gjejë dëshmi për pronësinë e këtyre veprave të artit. Punëtorët e ndërmarrjes pretendojnë se këto vepra artistike janë blerë nga ndërmarrja me rastin e hapjes së hotelit”, kishte thënë ai.

Sebahate Çavdarbasha, në prononcimet për “Kohën Ditore”, vazhdimisht e kishte mohuar se bashkëshorti i saj i ndjerë kishte shitur skulpturën. Sipas saj, qysh më 2013 e ka dërguar dokumentacionin në AKP për të dëshmuar që vepra “Pritja” i takon familjes.

Në shtator të 2016, Kaloshi kishte konfirmuar se veprat e identifikuara do të barten në Muzeun e Kosovës.

“Komisioni ka kryer punën e evidentimit të këtyre veprave arti. Të gjitha janë vendosur në një vend të sigurt. Pritet të bëhet një vlerësim në të holla i këtyre veprave dhe më pas do të barten te Muzeu i Kosovës”, kishte thënë Kaloshikur. Kishte konfirmuar po ashtu se në ndërtesën e hotelit “Grand” janë evidentuar rreth 100 vepra artistike.

“Komisioni ka qenë i përbashkët me përfaqësues të AKP-së, përfaqësues të ndërmarrjes, nga Ministria e Kulturës…dhe nga Galeria në kuadër të Ministrisë së Kulturës”, kishte thënë Kaloshi.

Menaxhmenti i hotelit “Grand” 40 vjet më parë ishte pasuruar me një fond veprash artistike, shumica prej të cilave ishin vendosur në ambiente të hotelit “Grand”, e disa të tjera do të zbukuronin suitat. Por, në vitet e pasluftës askush nga ata që kanë menaxhuar hotelin nuk ka qenë në gjendje të tregojë saktë për këtë fond të veprave e as për mënyrën se si kanë përfunduar ato në hotel.