Kulturë

Filarmonia dhe Baleti me kushte të vjetra presin ligj të ri – Opera në letër

Descriptive Text

Sukses e kanë cilësuar miratimin e Projektligjit për Filarmoni, Balet e Operë edhe kryeministri në largim Abdullah Hoti, edhe ministrja e Kulturës, hartimi i të cilit ka nisur para pesë vjetësh. Ndër të tjera, me këtë projektligj i rihapet rrugë themelimit të Operës si institucion i ri përderisa Filarmonia e Baleti mbesin me kushte të vjetra pune

Qeveria e Kosovës ka bërë një hap në rregullimin e infrastrukturës ligjore për Filarmoninë, Operën dhe Baletin Kombëtar të Kosovës. Me kushte të vjetra pune e pa ekzistuar Opera fare, Qeveria të hënën ka miratuar Projektligjin për Filarmoninë e Kosovës, Operën e Kosovës dhe Baletin Kombëtar të Kosovës. Nëse ky projektligj kalon edhe në Kuvend, atëherë do të zëvendësonte Ligjin që rregullon punën e këtyre institucioneve, i miratuar më 2006 e që në Gazetën Zyrtare ishte publikuar në majin e vitit 2007.

Me të, do të ndryshojë infrastruktura ligjore për Filarmoni e Balet, por jo edhe kushtet që i kanë tash e dy dekada, prej kur premtohet edhe objekti i teatrit, operës dhe baletit, “Dr. Ibrahim Rugova”, guri themeltar i të cilit sivjet shënoi 11-vjetorin.

Ministria e Kulturës e ka dërguar në Qeveri këtë projektligj, por jo edhe atë për teatro, kinematografi dhe atë për trashëgimi kulturore. Tri projektligjet e tjera për fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore kanë mbetur të jenë pjesë e pakos legjislative të Qeverisë për vitin që vjen.

Në Projektligjin për Filarmoninë e Kosovës, Operën e Kosovës dhe Baletin Kombëtar të Kosovës ndryshimet në raport me Ligjin aktual në fuqi nisin qysh në preambulë. Përderisa në vitin 2006 baza e Ligjit ishte Korniza Kushtetuese për Vetëqeverisje tё Përkohshme në Kosovë, tash është Kushtetuta e Kosovës.

Këto institucione në përbërjen e tyre, me Ligjin aktual kanë Këshill Artistik prej nëntë anëtarësh. Kjo pikë ishte respektuar shumë shkurt. Kurse në bazë të Ligjit për institucionet e kulturës kanë edhe Këshill Drejtues, organi më i lartë në drejtimin e institucionit. Këshillat drejtues kanë ekzistuar gjithnjë edhe në praktikë. Me Projektligj, Këshilli Artistik është larguar krejtësisht pasi është parë i panevojshëm. Pos kësaj, është konsideruar se kishte përplasje kompetencash. Edhe ky projektligj mund të bie në ujë pas rrethanave të reja, kur të hënën mbrëma Gjykata Kushtetuese detyroi që vendi të shkojë në zgjedhje. Me legjislaturë të re, krejt projektligjet kthehen në pikën zero.

Rregullim i së drejtës për pensionim të mëhershëm

Në Projektligj rregullohet në parim edhe çështja e pensionimit të parakohshëm të punonjësve të këtyre institucioneve. Shkruhet se “për arsye të specifikave profesionale, punëtorëve të caktuar të Filarmonisë, Operës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës si: frymorëve, solistëve vokalë dhe balerinëve u takon e drejta për pensionim të mëhershëm me kohëzgjatje të shtuar”.

“E drejta për pension të mëhershëm u takon punëtorëve nga paragrafi paraprak i këtij neni pas kalimit të vazhdueshëm efektiv në aktivitete skenike të periudhës kohore prej 18 - 25 vjetësh dhe nëse në ndërkohë është shfaqur invaliditeti i shkallës së parë”, përcakton Projektligji.

Por, sipas këtij projektligji, kushtet, kriteret dhe procedurat për këto çështje i rregullon Qeveria e Kosovës me ligj përkatës. Kërkohet që kjo çështje të rregullohet edhe në kuadër të Ligjit për skemat pensionale të Kosovës.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se si model kryesor është marrë Ligji i Sllovenisë, përderisa në punë u kanë hyrë edhe ligjet e vendeve të tjera të rajonit. Jashari, i cili ishte pjesë e grupit punues të Projektligjit, ka thënë se gjatë punimit është konstatuar se po bëhet një ligj i ri.

Ndryshime radikale të organeve menaxheriale e udhëheqëse

“Ka pasur ndryshme radikale në kuptimin e organeve menaxheriale e udhëheqëse. Në Ligjin e vjetër ka pasur Këshill Artistik me 9 anëtarë që ka qenë absurd. Pastaj përzierje kompetencash midis Këshillit Drejtues dhe drejtorit të institucionit. Janë përmirësuar nen për nen”, ka thënë ai. Ka treguar se me Ligjin aktual orkestra e Filarmonisë mund të kishte 80 deri në 120 anëtarë, kurse me Projektligj kjo çështje është rregulluar duke lejuar nga 60 deri në 80 anëtarë. Sipas tij, Projektligji obligon edhe për themelimin e Operës së Kosovës. Jashari ka thënë se kontribut të madh në hartimin e Projektligjit ka dhënë edhe ish-drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj i cili vdiq në maj të këtij viti. Për këtë projektligj është punuar për më shumë se pesë vjet.

Kryeministri Avdullah Hoti paraditen e së hënës ka thënë se Qeveria krijoi bazë për themelimin e Operës së Kosovës.

“Edhe një lajm i mirë, i shumëpritur për gjithë komunitetin artistik të Kosovës. Qeveria sot u dha fund pritjeve shumëvjeçare duke miratuar Projektligjin për Filarmoninë, Operën dhe Baletin Kombëtar të Kosovës. Krijuam bazën për themelimin e institucionit, Opera e Kosovës. Opera, Filarmonia dhe Baleti do të vënë Kosovën në hartën e shteteve që u kushtojnë interesim të veçantë veprimtarive kulturo-artistike”, ka thënë Hoti, i cili nga mbrëmja e së hënës pas publikimit të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese është kryeministër në largim. Opera në Projektligj parashihet t’i ketë katër njësi: Orkestër, Kor, Solistë, Trupë të Baletit.

E gjatë mbledhjes së Qeverisë, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka thënë se Ligji ka hyrë në plotësim-ndryshim për shkak të preambulës me logon e UNMIK-ut, por edhe për të evituar pengesat që kanë ndikuar në mbarëvajtjen e punëve të institucioneve, dhe gjatë hartimit është konsideruar se duhet të jetë ligj i ri.

“Ky projektligj i ka kaluar të gjitha fazat e nevojshme të shqyrtimit, konsultimit me institucionet relevante dhe diskutimet publike me grupet e interesit dhe ka marrë aprovimin e të gjitha instancave relevante edhe përkundër vështirësive për shkak të përballjes me pandeminë COVID-19”, ka thënë Dumoshi, e cila nga mbrëmja e së hënës është ministre në largim.

Kinematografia, trashëgimia kulturore e teatri – pa ligje të reja

Drejtori i Departamentit ligjor të Ministrisë së Kulturës, Feim Hoxha, ka thënë se për këtë vit në Qeveri do të shkojnë edhe Projektligji për rininë dhe ai për arkivat.

“Projektligji për kinematografi, trashëgimi dhe teatër nuk mund të shkojnë pasi nuk e mbërrijnë afatin. Duhet të shkojnë vitin që vjen”, ka thënë ai.

Gjatë muajit nëntor kjo ministri kishte afatin të dorëzojë edhe draftet për ligjet që sivjet ishin pjesë e programit legjislativ.

Historia e dekadës së fundit është përplot me përpjekje të dështuara për hartimin e Projektligjit për trashëgimi kulturore. Dy vjet më parë ishte e fundit përpjekje e Ministrisë së Kulturës për hartimin e rregullave të reja në lidhje me menaxhimin e trashëgimisë kulture. Një grup punues ishte marrë me Projektligjin në fjalë për t’i përmirësuar, siç ishte thënë, “lëshimet” e bëra nga dy komisionet paraprake, njëri i emëruar nga ish-ministri Memli Krasniqi, e tjetri i formuar nga pasuesi i tij në MKRS, Kujtim Shala.

Ligji për trashëgimi hyn në pakon e ligjeve me interes vital. Kësisoj, për miratim duhen dy të tretat e dyfishta, që nënkupton se duhet të marrë edhe votat e dy të tretave të deputetëve të pakicave. Pra, varet nga 20 vendet e rezervuara për pakica në Kuvendin e Kosovës. Gazeta kishte marrë vesh që po në ditën që Projektligji do të nxirrej në votim, autoritetet e Kishës Ortodokse Serbe kishin takuar ish-kryeministrin Isa Mustafa. Ia kishin bërë të ditur se deputetët serbë nuk do ta votonin atë, meqenëse në asnjë nen nuk përmendej trashëgimia kulturore e Kishës Ortodokse Serbe, por Projektligji përcaktonte se bëhet fjalë për trashëgimi kulturore të shtetit të Kosovës. Kjo kishte ndodhur më 2015.

Në korrik të vitit 2018, Ministria e Kulturës i ishte rikthyer hartimit të Projektligjit për trashëgimi kulturore. Brenda gjashtë vjetëve për herë të tretë ky institucion kishte nisur tentimin të hartojë një dokument, i cili do të vinte edhe rregulla të reja sa u përket ruajtjes e menaxhimit të trashëgimisë kulturore.

Në anën tjetër, katër vjet punë kishte marrë hartimi i Projektligjit për kinematografinë që u tërhoq nga leximi i dytë në Kuvend, më 4 gusht 2016. Me gjithë emërimin e dy komisioneve, një nga ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, e një tjetër nga pasardhësi i tij në këtë pozitë, ish-ministri Kujtim Shala, pas serisë së përplasjeve e reagimeve midis komunitetit të kineastëve dhe angazhimit të ekspertëve ndërkombëtarë, puna s’ishte finalizuar me sukses.

Ishin 39 kineastë që kishin firmosur kërkesën për tërheqjen e Projektligjit nga Kuvendi. Ndër arsyet e shumta që ishin përmendur në reagimin e Shoqatës së Producentëve të Kosovës ishte edhe afati për realizimin e projektit që, sipas tyre, është plotësisht i gabuar dhe i pamundshëm që të arrihet. E një prej pikave më të diskutueshme të Projektligjit ishte përbërja e jurisë që do të vlerësojë projektet kinematografike që subvencionohen nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Kjo çështje kaherë e ka ndarë në dysh komunitetin artistik, duke bërë që disa të përkrahin idenë që juria duhet të përbëhet nga shtetas të Kosovës e disa të tjerë që kërkojnë edhe anëtarë me shtetësi të huaj.

Në vitin 2018, për herë të fundit kishte nisur plotësim-ndryshimi i Ligjit për teatro, një kërkesë e kahershme e komunitetit teatror për ta ndryshuar ligjin e 2012-s.