Kulturë

Sot nis edicioni i parë i Peja Jazz

Anibar dhe Kinemaja “Jusuf Gërvalla” këtë dhjetor po e nisin organizimin e një ngjarje të re në Pejë.

“Peja Jazz” do të jetë seri e koncerteve e cila do të sjellë frymën e muzikës xhaz për publikun, jo vetëm pejan.

Në kohën kur pandemia Covid-19 ka goditur skenën e kulturës gjithandej globit, organizatorët kanë dëshiruar të sfidojnë veten që mu në këtë kohë të krijojnë një ngjarje të re kulturore, e cila ka për qëllim zvogëlimin e distancës mes nesh, gjithmonë duke respektuar masat në fuqi për mbrojtje nga përhapja e virusit Covid-19.

“Peja Jazz” nuk është festival, por një seri tradicionale koncertesh dhe ngjarjesh përcjellëse që fokus kryesor e kanë promovimin e muzikës xhaz dhe të ideve të reja.

Kjo ngjarje do të zhvillohet nga sot, më 7 dhjetor, deri me 10 të këtij muaji në hapësirën e Kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë.

Të njëjtat koncerte do të transmetohen edhe live në mediat sociale të Kinema ‘Jusuf Gërvalla’ dhe Peja Jazz.

Numri i pjesëmarrësve do të jetë i limituar, ndërsa së shpejti do të fillojë shitja e biletave.

Ky edicion i parë i Peja Jazz po organizohet në kuadër të projektit të Anibar, komunitet i fuqizuar përmes artit dhe kulturës të mbështetur nga Fondi Ndërkombëtar i Ndihmës së Zyrës së Jashtme Federale Gjermane, Goethe-Institut.