Kulturë

Arritja në rrënjë

Arritja në rrënjë
Hasan Hasani, i dashuruar në artin letrar, në librin. Kësaj fushe ia kushtoi gjithë jetën e tij…
 

Mbresa nga libri i Hasan Hasanit – Përkolës “Mirditë e mirditorë”, poezi, botoi “Faik Konica”, Prishtinë 2020

1.

Sado që shkroi edhe prozë, dramë, kritikë letrare, shkrime studimore dhe publicistikë, Hasan Hasani pjesën më të vëllimshme të krijimtarisë e ka në poezi, madje në poezi për të rritur. Me këtë zhanër ai e filloi krijimtarinë letrare dhe, krahas sukseseve edhe në zhanre të tjera letrare, poezia i është shënjuesi kryesor. Por, paralelisht me këtë, është e nevojshme që në fillim ta themi edhe një konstatim tjetër – Hasan Hasani është i dashuruar në artin letrar, në librin. Kësaj fushe ia kushtoi gjithë jetën e tij. Në biblotekën e tij ka mbi 70 tituj të librave si autor në lloje të ndryshme letrare. Ka, në mesin e tyre, shumë libra me poezi për të rritur, e cila është vokacioni i tij kryesor, por ka edhe mjaft vepra në prozë, tregime, romane, si dhe një numër të konsiderueshëm të librave me poezi për fëmijë. Ajo që Hasan Hasanin e paraqet si dashamirës të veçantë të librit janë edhe titujt e librave që ua kushtoi paraqitjes dhe vlerësimit të autorëve dhe veprave të ndryshme letrare, para së gjithash puna e përkushtuar në Leksikonin e shkrimtarëve shqiptarë që nga fillimi i shkrimit të letërsisë sonë e deri në kohët më të vona, pastaj në Leksikonin e nobelistëve të letërsisë etj.