Kulturë

“Ajo çka rrëfejnë refugjatët është e llahtarshme...”

“Ajo çka rrëfejnë refugjatët është e llahtarshme...”
Në arrati nga lufta: Një familje shqiptare nga Kosova arrin të kalojë kufirin për në Shqipëri, afër Morinës (Foto e Wolfgang Eilmes nga seria e fotografive me të cilat gazetari i njohur gjerman, Matthias Rüb, ilustronte shkrimin e tij për luftën në Kosovë, botuar në “Frankfurter Allgemeine Zeitung”)
 

29 mars 1999

Ajo çka rrëfejnë refugjatët është e llahtarshme, për t’u dëshpëruar. Unë kam vendosur që specialistët tanë t’i marrin në pyetje refugjatët, të mbledhin dhe të vlerësojnë të dhënat për krime lufte, mizori dhe brutalitete të llahtarshme. Planifikimi i operacioneve të NATO-s (përgatitur nga ushtarakët, vendosur nga të gjitha shtetet anëtare në Këshillin e NATO-s), parashihte së pari koncentrimin e 50 për qind të sulmeve ajrore kundër mobileve ushtarake, 30 për qind kundër pajisjeve telekomunikuese dhe 20 për qind të sulmeve të tjera kundër pajisjeve furnizuese. Prej pajisjeve telekomunikuese, 70 për qind do të shtrihen në Kosovë dhe rreth 30 për qind në jug të Beogradit dhe në shkallën e 44-të gjeografike. Për këtë, në fillim qenë në dispozicion 260 aeroplanë. Prej tyre, rreth 40 për qind u përdorën për zbulim, për presion elektronik kundër mbrojtjes kundërajrore të kundërshtarit dhe për mbrojtjen e aeroplanëve tanë, si dhe si aeroplanë cisterna. Për shembull, një aksion i tornadove gjermane për luftimin e mbrojtjes kundërajrore të kundërshtarit dhe për mbrojtjen e aeroplanëve të tjerë të NATO-s, startonte në Piaçenca (Itali) dhe zgjaste pastaj midis pesë deri në shtatë orë. Të fluturosh në krye të një njësie, për të shkyçur, vënë nën presion elektronik dhe luftuar mbrojtjen kundërajrore të kundërshtarit, ishte tepër e rrezikshme. Këto fluturime ishin për pilotët një rëndim shumë i madh trupor e shpirtëror. Bisedat e mia me pilotët treguan se ata po e kryenin detyrën e tyre me vetëdije të madhe dhe profesionalizmin më të lartë. Tendosja dhe rëndimi, tregonin ata, binin poshtë në çastin e startit. Para dhe pas aterrimit, sidoqoftë, e tërë kjo ishte ndryshe...

Përballë rreziqeve dhe rëndimeve të aksioneve të tilla, kontributi ushtarak, planifikues dhe logjistik duket i paktë. Mirëpo, ai është parakusht për atë që startimet dhe aterrimet e disa qindra aeroplanëve në katërmbëdhjetë aeroporte në Itali, dhe të një numri po aq të madh të aeroporteve jashtë Italisë, të mund të koordinohen dhe të realizohen suksesshëm. Gjatë bisedës sime të mbrëmjes në selinë qendrore të NATO-s ekzistoi njëzëshmëri që numri i aeroplanëve duhet të rritet në mënyrë kontinuitive dhe me këtë edhe presioni mbi ushtrinë jugosllave dhe bandat kriminele, të cilat donin të çonin në fund veprën e përgjakshme të Milosheviqit.