Kulturë

Kosova e Turqia dakordohen për filma e seriale

Kosova e Turqia dakordohen për filma e seriale
Përderisa për ministren e Kulturës, Vlora Dumoshi, Kosovën dhe Turqinë i lidh historia, homologu i saj turk, Mehmet Nuri Ersoy – në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ndërshtetërore në fushën e kinematografisë, të enjten në Ankara – ka përmendur edhe efektin që kanë serialet turke në krejt botën. Ka thënë se falë tyre, deri në Amerikë të Jugut, janë bërë në modë emrat turq (Foto: MKRS)
 

Turqia dhe Kosova janë marrë vesh për bashkëpunim në fushën e kinematografisë. Janë vënë rregullat bazike që kinematografët kosovarë të mund të aplikojnë për fonde turke sa u përket projekteve të tyre dhe anasjelltas. Marrëveshja synon edhe bashkëprodhime e promovim të përbashkët të kinematografisë. Bile synohet që Kosova të mund të jetë edhe sheshxhirim për filmat dhe serialet turke.

Të enjten ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, dhe ministri i Kulturës dhe Turizmit i Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy, kanë nënshkruar marrëveshjen ndërshtetërore, e cila do të rregullojë dhe promovojë bashkëprodhimin filmik në mes të Kosovës dhe Turqisë. “Marrëveshja e nënshkruar ka për qëllim që të përcaktojë bazat që kanë të bëjnë me prodhimin e përbashkët të filmit dhe serive televizive”, shkruhet në komunikatën e MKRS-së të lëshuar pas nënshkrimit të marrëveshjes në kryeqytetin turk Ankara.