Kulturë

“Prishtina e Vjetër” drejt humbjes së shtëpisë së dytë brenda 45 ditësh

Kjo është gjendja e shtëpisë së moçme brenda asaj që njihet si “Prishtina e Vjetër”, të hënën, një ditë pas zjarrit që e ka përfshirë atë
 

Shteti e ka marrë nën mbrojtje Qendrën Historike të Prishtinës, por nuk ia del t’i mbrojë objektet e moçme që e identifikojnë atë. Madje kësaj radhe ka dështuar ta mbrojë edhe një objekt që është pronë e Komunës së Prishtinës. Zjarri i së dielës mbrëma e ka dëmtuar goxha e një rast si ky vjen pas atij të 15 tetorit, kur shtëpia njëshekullore e familjes Gashi u rrafshua

Për jo më shumë se 45 ditë, pjesa e moçme e kryeqytetit është gati të humbë edhe një shtëpi të vjetër. Shtëpia rreth një shekull e vjetër në rrugën “Ismail Dumoshi” ishte rrafshuar më 15 të muajit të kaluar. E një tjetër po në perimetrin e asaj që njihet si “Prishtina e Vjetër” është përfshirë nga zjarri. Dëmtimet kanë shkuar deri në atë masë saqë ka mbetur pa kulm. Shtëpia midis lagjes “Tophane” dhe “Medresesë”, që është pjesë e Qendrës Historike të Prishtinës, ka shpëtuar nga djegia e tërësishme falë ekipeve të zjarrfikësve që kanë intervenuar dy herë të dielën e po ashtu edhe mëngjesin e së hënës. Shtëpia është pronë e Komunës së Prishtinës, dhe sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti po hetohet.