Kulturë

Artisti i reflektimit të krizës sociale

Artisti i reflektimit të krizës sociale
Bib Frrokaj: “Punët e mia janë të lidhura shumë me kontekstin, habitatin të cilin e kam rreth meje, sidomos të lidhura ngushtë edhe me problematikat sociale...”
 

Në një botë komplekse, artisti nga Shqipëria, Bib Frrokaj, nëpërmjet artit të tij përpiqet të zbërthejë sesi ajo bashkëvepron me njeriun e sotëm. Thur metafizikën a lidhjen vizuale me imazhe të ndryshme dhe situata me një vëmendje të veçantë drejt temave sociale. I diplomuar për pikturë në Universitetin e Arteve në Tiranë, më 2016, veprat e tij artistike së fundi janë fokusuar në fotografi dhe video.

Artisti 28-vjeçar nga Lezha – i cili prej vitit 2017 punon edhe si mësues i artit në vendlindjen e tij – së fundmi ka qenë finalist në çmimin “Ardhje”, që u ndahet artistëve të rinj vizualë dhe aktualisht është pjesë e rezidencës së artit “Infrared” që mbahet në Prishtinë nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë”.