Kulturë

Rrugëtimi deri te Pavarësia e Shqipërisë dhe thirrja “Kosova âsht jona”

Njëvjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Vlorë, 28 nëntor 1913

Shtjella e bisedës kishte marrë hov kur për një moment gazetari i të përditshmes vjeneze “Neue Freie Presse” e vështroi ngultazi bashkëbiseduesin. “Pra, ju shqiptarët kërkoni pavarësi edhe pse keni qenë të lidhur ngushtë me Turqinë?”, e pyeti ashtu thatë. Kundrejt kishte një burrë të thinjur, por me qëndrim impozant.

 

Dymbëdhjetë vjet pasi Sami Frashëri te “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e çdo të bëhetë?” kishte paralajmëruar se shqiptarët duhej të vendosnin nëse do të shkatërroheshin bashkë me turqit ose të ndaheshin prej tyre, 37 delegatë të mbledhur në shtëpinë trekatëshe të Xhemil bej Vlorës me një gojë vendosën që “Shqipëria me sot të bëhet me vehte, e lirë e mosvarme”. Prej përpjekjeve diplomatike në veshin e shurdhër të diplomacive evropiane e deri te lufta me armë në dorë prej Merdarit deri në Shkup, në kohën kur gjithçka dukej se komplotonte kundër, shqiptarët morën vendimin e madh. Gati një vit më vonë, “Kosova âsht jona” ishte thirrja që bënte “Përlindja e Shqipëniës”

Shtjella e bisedës kishte marrë hov kur për një moment gazetari i të përditshmes vjeneze “Neue Freie Presse” e vështroi ngultazi bashkëbiseduesin. “Pra, ju shqiptarët kërkoni pavarësi edhe pse keni qenë të lidhur ngushtë me Turqinë?”, e pyeti ashtu thatë. Kundrejt kishte një burrë të thinjur, por me qëndrim impozant.

“Shqiptarët do t’i kishin qëndruar me gjithë qejf besnikë Turqisë, nëse kjo nuk do t’i kishte plagosur në ndjenjat e tyre më të shenjta kombëtare”, pasoi qetësisht përgjigja e shqiptarit në Vjenë, i cili po tërhiqte vëmendjen e rretheve të larta politike. Së shpejti atë do ta takonte edhe dora vetë, ministri i Jashtëm austro-hungarez, konti Berchtold.