Kulturë

Ministria kujtohet për konkurset e drejtorëve të tri institucioneve kulturore

Descriptive Text

Ministrisë së Kulturës i ka rënë ndërmend që tri institucione qendrore të kulturës nuk kanë udhëheqës. Të enjten ka hapur konkurset për drejtor të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës, udhëheqës artistik të këtij institucioni, drejtor të përgjithshëm të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe drejtor të Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Ministria e Kulturës vonesën e konkurseve e arsyetonte me mosmiratimin e kërkesës për këto pozita nga Ministria e Brendshme dhe ajo e Administratës Publike. Në qershor të këtij viti Gjykata Kushtetuese nxori aktgjykimin, në bazë të të cilit u vlerësua se nene të caktuara të Ligjit për zyrtarë publikë nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Këtë e përdorte si arsyetim edhe MKRS-ja.

Në fund të janarit të sivjetmë, MKRS-ja kishte paralajmëruar konkurs për dy pozitat më të larta menaxheriale në hierarkinë e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Ish-drejtorit të TKK-së, Agim Sopi, i kishte skaduar mandati më 18 janar, përderisa pozita e udhëheqësit artistik kishte mbetur vakante qysh prej qershorit të vitit të kaluar. Mospranimi i detyrës nga Fatos Berisha kishte bërë që Këshilli Drejtues më shumicë votash të emëronte si ushtrues të detyrës së udhëheqësit artistik të TKK-së aktorin Adrian Morina. Aktualisht ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm është Naser Shatrolli.

Në anën tjetër një opinion i Agjencisë Kundër Korrupsionit kishte bërë që Sinan Kajtazi të mos qëndronte më shumë se 12 ditë si i zgjedhur në pozitën e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës. Me konkurs të brendshëm, balerini Sinan Kajtazi qe zgjedhur drejtor i këtij institucioni. Në fund të qershorit të vitit të kaluar, MKRS-ja kishte dhënë njoftimin për të si “kandidat të suksesshëm”, kur kishte bërë me dije se Kajtazi ishte zyrtarizuar në këtë pozitë.

Qysh prej gushtit të këtij viti edhe Galeria Kombëtare e Kosovës ka ngelur pa udhëheqës. Arta Aganit, që ishte zgjedhur në këtë pozitë në vitin 2016, i kishte përfunduar mandati. Aktualisht ushtruese e detyrës së drejtorit të GKK-së është Dhurata Ramosaj-Shala, njëherësh koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës.

Sipas konkurseve, aplikimet mund të bëhen nga dita e 27-të e dhjetorit deri me 10 janar. Për të gjitha pozitat kërkohet që kandidatët të jenë profesionistë të fushave që mbulojnë institucionet. Kërkohet që ata të kenë nga 7 vjet përvojë pune profesionale. Për galeri kërkohen 4 vjet përvojë pune në udhëheqje. Për udhëheqës artistik të TKK-së kërkohen 5 vjet përvojë pune relevante, kurse për drejtor të përgjithshëm, 7 vjet përvojë pune, prej tyre 4 në pozita udhëheqëse.

Vonimi i hapjes së konkurseve ishte parë si mangësi në menaxhim të institucioneve.

Dramaturgu dhe ish-drejtori i TKK-së, Arian Krasniqi, në gusht të këtij vitit kishte vlerësuar se ky institucion nuk mund të vazhdojë edhe më tutje me ushtrues detyre.

“Për mbarëvajtjen e punëve në TKK është mirë që sa më parë të shpallen konkurset për drejtorë. Besoj se Këshilli Drejtues dhe MKRS-ja e kanë parasysh faktin se me ushtrues detyre nuk mund të vazhdohet gjatë”, kishte thënë Krasniqi. “Prandaj pres që sa më shpejt të shpallen konkurset për drejtor në TKK, në mënyrë që ky institucion të drejtohet nga një menaxhment me mandat të plotë ligjor”, kishte shtuar ai.

Siç është bërë “traditë” në fillim të mandatit të çdo ministri, edhe ministrja Dumoshi sivjet ua ka shkurtuar mandatin katërvjeçar përbërjes së disa këshillave drejtues. E kishte filluar me disa ndërrime në Këshillin e Librit, për të vazhduar edhe me Këshillin Drejtues të ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”. Pastaj ka nënshkruar vendimet për emërimin e përbërjeve të reja të Këshillit Drejtues të Baletit Kombëtar të Kosovës, atij të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe më pas Teatrit Kombëtar të Kosovës. Anëtarët e Këshillit zgjedhin dhe shkarkojnë drejtorët. MKRS-ja vazhdimisht është kritikuar për politizim të këshillave drejtues duke emëruar anëtarë partie prej nga vinin ministrat e kulturës, apo njerëz të afërt me ato parti, në mënyrë që drejtorët e institucioneve të zgjidhen njerëz të pranueshëm edhe për partitë politike.