Kulturë

Biblioteka Kombëtare në 76-vjetor me plan strategjik pesëvjeçar

Descriptive Text

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” sot ka shënuar 76-vjetorin e saj të themelimit nëpërmjet ceremonisë “Dita Kombëtare e Vetëdijesimit për Bibliotekat”.

Në ngjarjen e bashkëorganizuar edhe nga Ministria e Kulturës dhe Rektorati i Universitetit të Prishtinës, të pranishmit kanë vlerësuar rolin e bibliotekës më të madhe në vend si bashkëudhëtare e fatit kolektiv të shqiptarëve në Kosovë.

Me këtë rast, drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku dhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti kanë nënshkruar zyrtarisht aktin e Planit Strategjik pesëvjeçar me të cilin janë ravijëzuar prioritetet strategjike dhe plani I punës.

Në fjalën e tij, drejtori I BKK-së, Fazli Gajraku, ka folur për historikun e vështirë të këtij institucioni ndër vite që kishte filluar në dhjetor të vitit 1944 me një koleksion të vogël.

“Më pas, nga Prizreni, Biblioteka e bëri jetën e saj herë të mbyllur e herë të hapur, nga një objekt në tjetrin, derisa zuri vend në këtë objekt monumental të arkitekturës së Kosovës”, ka thënë ai.

Me një fjalë rasti të pranishmëve u është drejtuar edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, kurse përmes një video-lidhjeje ka folur edhe Mark Dahl, drejtor i Bibliotekës Watzek në Kolegjin Luis dhe Clark në Portland të Oregonit në SHBA.

Në sfondin e kësaj ngjarje në katin e dytë të BKK-së është hapur edhe ekspozita “Anton Çetta: 100 vjetori i Lindjes” si dhe ajo e fotografisë “Anton Çetta: 30-vjetori i pajtimit të gjaqeve”.

Të marrë nga koleksioni privat i veprimtarit Sali Cacaj, fotografitë kanë sjellë në kohë një nga ngjarjet më të rëndësishme me të cilën u shënuan vitet ’90 në Kosovë.