Kulturë

Ura e Gurit në Prizren shkëlqen edhe natën

Pamje tjetër ka marrë Ura e Gurit në Prizren, prej së martës mbrëma, me përurimin e ndriçimit dekorativ. Tash, hijeshia e simbolit të qytetit të vjetër shkëlqen edhe natën. Në formë të ngjashme do të ndriçohen edhe monumentet e tjera të trashëgimisë kulturore
 

Autoritetet komunale të Prizrenit të martën mbrëma kanë përuruar ndriçimin dekorativ të Urës së Gurit, për të cilin projekt janë shpenzuar afro 4 mijë euro. Sipas tyre, në të ardhmen, në formë të ngjashme do të ndriçohen edhe monumentet e tjera të trashëgimisë kulturore. Madje është theksuar se do të ketë intervenime edhe në urat e tjera të qytetit, në mënyrë që ato të përshtaten me dukjen e Prizrenit, si qytet i trashëgimisë kulturore.

Drejtoresha e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Prizrenit, Sevil Kazaz, ka theksuar se projekti i ndriçimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore po fillon nga Ura e Gurit, për arsye se kjo urë e shekullit XV është simbol i qytetit të vjetër.