Kulturë

Aktivisti i shembjes së analfabetizmit

Aktivisti i shembjes së analfabetizmit
 

Osman Osmani ishte vetëm njëvjeçar kur familja e tij u zhvendos në Prizren nga fshati Mlik i Dragashit. Sot ai zotëron katër gjuhë. Përveç gjuhës amtare rome, flet edhe shqip, serbisht e turqisht. Ai beson se një ndër vlerat kryesore të kryeqytetit kulturor të Kosovës janë diversiteti dhe bashkëjetesa e komuniteteve e traditave të ndryshme. I larmishëm është edhe vetë rrëfimi jetësor i aktivistit 58-vjeçar. Triumfi e sfidat bashkëdyzohen kur Osmani nis të ndajë detaje për jetën e tij: një mision shumëvjeçar në shembjen e paragjykimeve dhe analfabetizmit.

“Deri diku në klasën e tretë nuk e kam ditur që nënën e kam analfabete. Ajo e ka pasur shprehi që gjithherë më ka pritur kur jam kthyer nga shkolla dhe pas drekës më ka pyetur çfarë kam detyra. Mendoja që ajo po e di se çfarë po kontrollon, por dikur në klasë të tretë e kuptova që nënën e kam analfabete”, thotë Osmani. E ëma e dinte se arsimimi është rruga e vetme për ta ndryshuar jetën dhe të ardhmen e të birit. Osmani u shkollua dhe me aktivizmin e tij vazhdon të trasojë rrugë edhe për të tjerët, duke i motivuar pjesëtarët e komunitetit rom, ashkali e egjiptian që të mos e braktisin shkollimin. Studimet për inxhinieri të tekstilit i kreu në Beograd. Pas studimeve do të punësohej në fabrikën “Printeks” ku më vonë u emërua drejtor teknik. Sot ai udhëheq organizatën joqeveritare “Nevo Koncepti” në Prizren.