Kulturë

“Teo, qeni i rrugës” si thirrje për kujdes e dashuri ndaj kafshëve

Prishtinë, 22 nëntor – Si një rrëfim që synon të jetë një katalizator emocional dhe ndryshues në lidhje me temën për të drejtat e kafshëve, vjen shfaqja “Teo, qeni i rrugës” nën regji të Elhame Kutllovcit. Problemet e qenve endacakë, nëpërmjet lojës në teatrin e kukullave “Doona”, zbërthehen me qetësi.

Diskutimi që ndodh brenda familjes shpërfaq një problem shoqëror. Lisi (Edon Shileku) për ditëlindjen e tij të dhjetë e ka të qartë se çfarë dëshiron si dhuratë. I kërkon të ëmës (Vjosë Tasholli) një qenush. Ajo e ka të prerë vendimin. Qeni nuk mbahet në shtëpi. Nuk dëshiron që të diskutohet më shumë për këtë çështje. Mirëpo kur Lisi takohet me Teon, që është një qen rruge, gjërat ndryshojnë për të mirë. Teo bëhet miku më i mirë i Lisit dhe së bashku nisin disa aventura të reja. E ëma e Lisit, duke e parë shoqërinë e re, lë anash paragjykimet që ekzistojnë për qentë endacakë dhe e pranon Teon. Shfaqja ka një epilog të lumtur, që sipas regjisores përmes mesazheve të personazheve u mëson fëmijëve, por edhe të rriturve të drejtat e kafshëve.

Skenat e ëmbla brenda shfaqjes janë një reflektim mbi një gjendje të pakëndshme të krijuar në vend. Lajmet nëpër media u bënë sebep i këtij realizmi teatral që pati premierën të shtunën.

Regjisorja Elhame Kutllovci ka thënë se nëpër media kanë parë lajme ku njerëzit janë sulmuar nga qentë endacakë, si dhe raportime ku njerëzit i kanë lënduar qentë. Sipas saj, raste të tilla nuk duhet të ndodhin.

“Nëse ne shfaqim më shumë dashuri dhe tregojmë kujdes për ta dhe i adoptojmë këta qenë të rrugës, atëherë situata do të ndryshonte”, ka thënë ajo për KOHËN. Ka thënë se shpreson që kjo dashuri të reflektojë, edhe pasi që fëmijët të largohen nga teatri, duke ngjallur kështu një dashuri për kafshët dhe duke bërë thirrje për mbrojtën e të drejtave të tyre.

Teo pa dyshim është personazhi i ri me të cilin fëmijët kanë krijuar një lidhje të veçantë. Qenushi është realizuar nga mjeshtrja e kukullave, Ayten Huzur Öğütcü. Aktori Drin Lumi ishte ai që e bënte Teon të fliste, të ecte e të luante me Lisin duke manovruar me kukullën.

“Ajo që më ka lënë përshtypje ka qenë kukulla qeni, pasi që kam qenë shumë entuziast për të luajtur me të. Një eksperiencë shumë e mirë. Kam pasur të realizoj lëvizjet e qenit, mimikat e tij, dhe kjo ka qenë sfiduese pasi që më herët në shfaqje për fëmijë kam qenë vetëm si personazh”, ka thënë aktori Drin Lumi.

Drama është shkruar nga Dituri Neziraj, frymëzuar nga libri “Teo, qeni i rrugës”, me ilustrime nga Tiziano Beber dhe tregim nga Sara Carlin. Producentë të shfaqjes janë Elza Ramadani nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve dhe Visar Krusha, drejtor i teatrit “Dodona”.

Krusha ka thënë se janë të lumtur që kanë realizuar këtë shfaqje, e cila u flet fëmijëve, por edhe të rriturve për dashurinë ndaj kafshëve dhe përgjegjësinë ndaj tyre, në këtë rast ndaj qenve.

“Mendoj që është e rëndësishme që veçanërisht në këtë kohë të pandemisë, të mendojmë edhe për kafshët e rrugës, të kujdesemi edhe për to dhe t’i trajtojmë me dashamirësi dhe dinjitet”, ka thënë ai. Sipas tij, shfaqja është realizuar me shumë dashuri nga tërë ekipi dhe po pëlqehet nga fëmijët.

“Shpresoj që sa më shpejt t’i kthehemi normalitetit në mënyrë që ta shikojnë sa më shumë fëmijë”, ka thënë ai.

Aria, 3-vjeçare e cila e ka parë shfaqjen të shtunën, ka filluar që të thërrasë çdo qen Teo. Është dëshmi se mesazhet e shfaqjes kanë arritur të përçohen.

Nëna e saj, Marigo Belegu-Kelmendi, ka thënë së shfaqja ka një temë interesante e cila pa dyshim që do të ngrejë vetëdijesim tek njerëzit, veçanërisht dashurinë e fëmijëve ndaj kafshëve.

“Aria është emocionuar shumë, ajo më kërkoi menjëherë që t'ia blejmë një qen të bukur. Të gjithë qentë tani po i emëron me dashurinë me të madhe që ka, po i quan Teo”, ka thënë ajo. Ka shtuar se ishte një shfaqje jashtëzakonisht e bukur.

“Vërtet kemi nevojë të shohim shfaqje të tilla. Fëmijët do të jenë shumë më të pasur kur shkojnë në teatër. Fëmijët në mënyrë të drejtpërdrejtë do të përballen me gjëra të bukura, gjë që është shumë e rëndësishme. Aria është kënaqur”, ka thënë ajo.

Skenografinë dhe kostumografinë e shfaqjes i ka realizuar Mentor Berisha, ndërsa muzikën, Memli Kelmendi. Dizajni i dritave është bërë nga Skënder Latifi e teknik të skenës kanë qenë Albert Gashi, Bedri Maloku, Fadil Bekteshi.

“Teo, qeni i rrugës” është premiera e katërt e vitit në skenën për fëmijë pas “Liza në botën e çudirave”, “Fjalët magjike”, “Mik-mik”.