Kulturë

Drama e dëbimit të shqiptarëve të Çamërisë për në Turqi

Sot ato nuk janë as hija e dikurshme e elementit shqiptar në prefekturat që përbëjnë Maqedoninë greke, ndanë kufirit zyrtar me Shqipërinë. Në Konicë e Follorinë kanë mbetur vetëm 4 katunde malore, ku shqipja flitet nga njerëz në moshë. Afër një shekull më parë, përfaqësuesit e 37 fshatrave shqiptare në këto anë nënshkruanin peticione e nisnin letra për të kundërshtuar dëbimin e tyre në Turqi

Dhjetëvjeçari i dytë i Çamërisë dhe bashkësive shqiptare në Konicë, Gramoz, Kostur e Follorinë, nën okupimin ushtarak grek, do të sillte në skenë ankthin e shpërnguljes së banorëve vendës. Me pretekstin e zbatimit të Traktatit të Llozanës, nëpërmjet të cilit parashihej shkëmbimi i popullatës greke dhe asaj turke, Athina po përpiqej t’i përfshinte edhe shqiptarët në këtë proces duke i cilësuar ata si “turq”. Konfrontimi i shtetit shqiptar dhe atij grek nuk do të përfundonte vetëm me përplasje diplomatike.

Ministri fuqiplotë shqiptar në Athinë, Mit’hat Frashëri, Hasan Prishtina, Fan Noli, kryeministër, Pandeli Evangjeli, ministër i Punëve të Jashtme, përfaqësuesi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, Benedikt Blinishti dhe pasuesi i tij në këtë funksion, Mehdi Frashëri, ishin vetëm disa nga figurat kyç që e mbajtën gjallë mëtimin shqiptar një shekull më parë.

Ndërsa autoritetet greke po punonin në terren për ta bërë dëbimin çështje të kryer, shteti shqiptar dha një ultimatum: përfaqësuesit grek në Tiranë iu tha se nëse vazhdonin dëbimet e shqiptarëve, atëherë e njëjta gjë do të reciprokohej me pakicën greke brenda territorit shqiptar.

Në vend se gjendja të shtendosej me krijimin e të ashtuquajturit “Komision mikst”, me kryetar gjeneralin spanjoll De Lara, drama e vërtetë për popullatën shqiptare do të fillonte kur u krijua edhe një nënkomision për Çamërinë, në përbërje të të cilit ishte një përfaqësues turk, një grek dhe një tjetër neutral i caktuar nga Lidhja e Kombeve. Sado detyrë e komisionit, duke u mbështetur në deklaratën e 19 janarit 1923, ishte të mos lejonte zhvendosjen e popullatës shqiptare në Turqi, anëtarët e Komisionit bënë shkelje skandaloze gjatë punës së tyre në terren.

Në arkivat e Lidhjes së Kombeve, në Gjenevë, sot e kësaj dite ekzistojnë raporte, telegrame e njoftime të vazhdueshme të diplomacisë shqiptare, sidomos me vërejtje ndaj komisionit ndërkombëtar, prej të cilit pritej të vihej drejtësia në vend.

Lufta e stërmundimshme në kuluaret e diplomacisë, si dhe rezistenca e shqiptarëve anas të Çamërisë do të kurorëzohej kur Lidhja e Kombeve, më 9 mars 1926, pranoi raportin përfundimtar të Komisionit Mandator. Në të rekomandohej se popullata shqiptare e Çamërisë ishte tërësisht shqiptare dhe si e tillë nuk do t’i nënshtrohej kurrfarë shkëmbimi të popullsisë. Edhe qeveria greke, pak ditë më vonë, do të shpallte zyrtarisht se shqiptarët do të gëzonin të gjitha të drejtat sikurse pjesa tjetër e shtetasve grekë.

Por dëmi veç ishte bërë. Një letër e Mit’hat Frashërit, ambasador në Athinë, qysh në verën e vitit 1925, njoftonte “nga 190 familje shqiptare në Konicë, për mungesë të letrave, 70 prej tyre u dëbuan për në Anadoll”.

Image

40 mijë shqiptarë të dëbuar

Një memorandumi të përfaqësuesit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, Mehdi Frashëri, që mban datën 4 dhjetor 1925, i ishin bashkëngjitur edhe anekse e materiale plotësuese. Në shumë prej tyre viheshin në spikamë metodat e përdorura nga autoritetet greke që falsifikonin peticione, kërcënonin banorë të pafajshëm, si dhe ryshfetosnin njerëz me ndikim, sidomos myftinj e imamë. Për më tepër, dokumentet e palës shqiptare zbardhin edhe gjendjen e rëndë në viset shqiptare, në ato që sot janë prefekturat perëndimore të Maqedonisë greke. Sipas një raporti të mëvonshëm të përfaqësuesit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, të paraqitur në dhjetor të 1928-s, nga këto anë ishin dëbuar me forcë rreth 40 mijë shqiptarë.

Image
Pamja nga një prej seancave të Lidhjes së Kombeve. Shqipëria u pranua në këtë organizatë me seli në Gjenevë më 17 dhjetor 1920 (Fotografia: Keystone/Corbis)

Nën mengenenë e gjatë të asimilimit, shqipja sot ka mbetur e hapërdarë vetëm në ishuj të izoluar: në krejt rrethin e Konicës ka mbetur fill i vetmi fshati Pilkat, kurse në Follorinë shqipja flitet nga banorë të moshuar në fshatrat Negovan, Lehovë e Bellkamen. Por një shekull më parë, siç del nga dokumentet që pala shqiptare i shpaloste para diplomatëve në Gjenevë, ekzistonin 37 vendbanime shqiptare në rrethet e Kosturit dhe Follorinës.

Pasaktësitë e “Komisionit mikst”

Aneksi 4 - Në memorandumin që përmendëm në lidhje me raportin e përgatitur nga Komisioni i përzier mbi rezultatet e kërkimit të nismuar nga zoti Ekstrand me rastin e udhëtimit të tij në pranverën e vitit 1924. Ky raport përmban lajthime dhe pasaktësi të panumërta, prej të cilave më të rëndësishmet janë këto në vijim:

Delegatët e Komisionit thonë se “ata ishin të kujdesshëm për t'i mbledhur ata persona, emrat e të cilëve janë dhënë nga përfaqësuesi shqiptar në Athinë”. Pavarësisht faktit se ata telegrafuan nga Preveza, personat e përmendur nga ministri shqiptar në Athinë, por prefekti i Prevezës me nismën e tij menjëherë i ka mbledhur me nxitim të madh, një numër të madh shqiptarësh që thanë hapur se janë në favor të shkëmbimit. Mes emrave të dhënë nga ministri shqiptar ishte Nezher Dino, por ai nuk u ftua dhe vetëm pas pengesave të shumta dhe përpjekjeve të shumta arriti të shihej me Ekstrandin në Janinë. Për të parandaluar një njeri të ndershëm për t'i shprehur pikëpamjet e tij, delegati turk, Hamdi Beu, ndryshoi telegramin për myftiun e Somonicës, Mehmet Balo dhe ftoi myfti Halil efendiun, që ishte shkarkuar nga ky post me 1922. M. Çeka, prefekt i përkohshëm i Prevezës, kanosi shqiptarët Çeç Sabriu, Mehmet Dusa dhe Shukri Abazi. Më vonë, Musa Demi, Haki Seiko dhe Mashar Dino u arrestuan si propagandues shqiptarë, që nënkupton se ata mëtuan që shqiptarët e Çamërisë nuk duhet të preken nga shkëmbimi. Autoritetet greke deshën të arrestonin edhe Ali Dinon dhe Shukri Abazin me të njëjtën akuzë. Nën-prefekti i Filatit, Papamihailu dërgoi xhandarë për të sjellë natën Sadelim Pilafimin nga fshati Galibaki me një mushkë ushtrie, për ta shtyrë atë që të nënshkruante një telegram të hartuar nga vetë nën-perfekti. I trembur dhe mbase i ndikuar nga premtimet, Sadelimi ka nënshkruar për 17 shqiptarë të tjerë, edhe pse ata nuk dinin asgjë për këtë. Nga Filati u nis një telegram që thoshte se “shqiptarët e Filatit, rreth 5 mijë, deklarojnë se nuk duan të bëhen viktimë e intrigës shqiptare”. Kapiteni, Polimero nga Margëlliçi dërgoi dy ushtarë në Mazarski për të gjetur Muharrem Xhafën dhe për ta detyruar atë të nënshkruante një telegram për zotin Ekstrand në Athinë. Aty ishin 18 nënshkrime, të gjitha të sajuara. Kur zoti Ekstrand ndodhej në Janinë, nën-prefekti i Paramithisë, Mushatos, kërkoi nga shqiptari Salih Zeneli i fshatit Nikoliq, që të nënshkruante një telegram që thoshte se shqiptarët e Çamërisë ishin turq dhe se dëshironin t'i bashkoheshin shkëmbimit. Ky telegram, që u hartua nga dora e nën-prefektit, u nënshkrua në emër të personave që nuk dinin asgjë për çështjen. Duhet të theksohet se nuk është bërë asnjë akuzë për telegramet e dërguara nga personat që thonë se duan të jenë subjekt i shkëmbimit.

Image
Fshati Lehovë në prefekturën e Kosturit. Me pak banorë shqiptarë kanë mbetur edhe fshatrat Pilkat (Konicë) dhe Negovan, Lehovë e Bellkamen (Follorinë) (Foto: ksenonasmonopati)

Shqiptarët në Kostur: “Po na dëbojnë nga shtëpitë tona”

Aneksi 5 (Presidentit të Komisionit të Përzier, Konstandinopojë, 10 nëntor 1925). Me lot dhe pikëllim, ne përunjësisht i drejtohemi Shkëlqesisë tuaj për t'i shpjeguar gjendjen mizore në të cilën ndodhemi. Ne, të nënshkruarit, jemi përfaqësues të fshatrave të Vinanit (në prefekturën e Kosturit në Greqi) që jemi dëbuar nga shtëpitë tona dhe tani jemi në Ezine (Dardanele). Banorët e Vinanit që numërojnë 190 vetë dhe u takojnë dyzet shtëpive; të gjithë ishin shqiptarë me gjuhë, prejardhje dhe racë. Kur filloi shkëmbimi i popullsive, ne vendosëm të mbesim në shtëpitë tona, dhe ne ishim kaq të bindur se nuk do të përfshihemi në shkëmbim dhe ne mbillnim dhe korrnim fushat tona me duhan, bizele e grurë. Autoritetet greke ishin të vetëdijshme se do të qëndronim në fshatin tonë, dhe ata nuk vendosën asnjë refugjat të vetëm në mesin tonë. Në fillim të qershorit të kaluar, ne dërguam një përfaqësues në Follorinë për të rregulluar gjendjen tonë, duke besuar në statusin tonë si shqiptarë. Përfaqësuesit tanë i takuan delegatët e Komisionit të Përzier, të cilët i njoftuan se të gjithë myslimanët shqiptarë papërjashtim do të ishin subjekt i shkëmbimit të detyrueshëm dhe do të përdorej edhe forca, nëse duhej. Të alarmuar nga ky deklarim i zyrtarëve të Komisionit të Përzier, ne bëmë përgatitje për t'u arratisur fshehtas në Shqipëri me qëllim të shmangies së krajatave të dëbimit të detyrueshëm. Fatkeqësisht, vetëm tri familje arritën të kalonin liqenin dhe të gjenin strehë në Shqipëri, e më pas autoritetet ndërmorën hapa me qëllim të parandalimit të ikjes së tjerëve. Banorët e mbetur të Vinanit u dëbuan nga shtëpitë e tyre me përdhunë dhe pasi braktisën krejt plëngun e tyre, ata u përzunë si qenë brenda tri ditësh. Me 21 qershor ishte fati ynë i hidhur që të linim tokën ku etërit tanë ishin vendosur prej moteve që s'mbahen mend dhe të ndjekim rrugën mizore të ikjes. Megjithë mirësjelljen dhe vëmendjen e autoriteteve të Republikës Turke, ne humbëm nga dita në ditë, 25 anëtarë të bashkësisë sonë të vogël, dhe nuk kalonte ditë pa hapur varre të reja për gratë dhe fëmijët tonë të dashur. Ne jemi të bindur se nuk mund të jetojmë në këtë mënyrë larg vendit tonë dhe i lutemi Komisionit që të na kthejë me vendim në fshatin e Vinanit dhe të sigurojë kthimin e pronës që kemi lënë pas. Ne ua lëmë vetën bujarisë tuaj dhe lutemi për ndihmën tuaj në emër të grave dhe fëmijëve që na kanë mbetur. (i nënshkruari) Shukri Rushiti