Kulturë

Masat e Qeverisë lejojnë ngjarjet kulturore, orari i pamundëson

Nëpërmjet propozim-vendimit për masat e reja për parandalim e shpërndarjes së koronavirusit Qeveria i ka lejuar aktivitetet kulturore. Por me të njëjtin vendim ekzekutivi i pamundëson shumicën prej tyre. Përderisa institucionet kulturore mund të ushtrojnë veprimtarinë duke shfrytëzuar 30 për qind të hapësirave – ashtu siç qe përcaktuar me vendim të 1 nëntorit – në komunat me rrezik të lartë nga e premtja do të ndalohen lëvizjet e qytetarëve nga ora 19:00 deri në 05:00. Në këtë kategori hyjnë Prishtina, Podujeva, Obiliqi, Fushë-Kosova, Mitrovica e Jugut, Gjilani, Ferizaj, Shtimja, Gjakova dhe Peja.

Shumica e ngjarjeve kulturore mbahen në mbrëmje prej orës 19:00 dhe 20:00. Institucionet qendrore të kulturës, Teatri Kombëtar i Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës, Filarmonia e Kosovës e disa organizata kulturore zhvillojnë aktivitet në mbrëmje.

Qasja e Qeverisë është duke u konsideruar e pamenduar mirë.

Adrian Morina, që ushtron detyrën e udhëheqësit artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ka thënë se sot (e enjte) duhet ta marrin një vendim se si të veprohet. Ai ka thënë se shfaqjet në repertorin e rregullt luhen prej orës 20:00.

“Me këto masa të ndërmarra është e pamundur të zhvillojmë repertorin e rregullt në skenën e madhe dhe të vogël. Për pjesën e provave, meqenëse nuk është mbyllur totalisht Teatri, ne do të vazhdojmë”, ka thënë ai. Ka treguar se aktualisht janë në proces të realizimit të dy shfaqjeve në skenën e vogël: "Stefani", me regji të Ben Apollonit, dhe shfaqja "Pamje revolucioni", me regji te Kaltrim Balajt.

“Sa i përket shfaqjeve do të jetë e vështirë me kufizimin e lëvizjes në ora 19:00. Edhe nëse e zhvendosim orarin prej orës 17:00 do të jetë e vështirë për publikun të kthehet në shtëpi deri në orën 19:00. Nëse do të luajmë prej orës 16:00 sërish do të jetë problematike, sepse shumica e njerëzve punojnë deri në orën 17:00 dhe shfaqja luhet për publik”, ka thënë ai. Sipas Morinës, është një dëm i jashtëzakonshëm që po i shkaktohet teatrit dhe kulturës.

“Por të mos harrojmë që ne po jetojmë në rrethana të jashtëzakonshme. Mbase do të na duhet t’iu rikthehemi, pa vullnetin tonë, shfaqjeve online deri në një vendim tjetër për Komunën e Prishtinës”, ka thënë ai.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Kreshnik Musolli, ka thënë se ende nuk janë në dijeni për ndonjë vendim zyrtar sa u përket masave. Sipas tij, e mira është që do të vazhdojë procesi i punës për përgatitjen e premierës së radhës me koreografin Mehmet Ballkan.

“Tekefundit do të duhet ta japim premierën edhe online”, ka thënë Musolli.

Dramaturgu Jeton Neziraj, i cili udhëheq me qendrën “Multimedia”, ka thënë se propozim-vendimi i Qeverisë nuk është i menduar mirë dhe nuk i merr parasysh fare shumë veprimtari, të cilat në realitet ndodhin e mund të ndodhin vetëm në mbrëmje.

“Këtu natyrisht e kam në mendje teatrin, respektivisht shfaqjet teatrore të cilat jepen në mbrëmje. Vendimi i sotshëm nuk i ndalon, megjithatë, i pamundëson duke i kufizuar në kohë. Mendoj që ata duhet ta shqyrtojnë këtë vendim absurd”, ka thënë ai.

Në mars të këtij viti, kur pandemia e virusit korona kishte filluar të përhapej, me vendim të Qeverisë së Kosovës institucionet kulturore ishin mbyllur për një kohë të pacaktuar, premierat u shtynë, provat u anuluan, si dhe repertori artistik u pezullua. Mosmbajtja e premtimit për rihapje të teatrove kishte bërë që komuniteti teatror të revoltohej. Në fillim të vjeshtës, më 25 shtator, Qeveria kishte vendosur për lehtësim masash, ku përfshihej edhe lejimi i pjesshëm i hapësirave kulturore.

Teatrot, bibliotekat, Salla e Filarmonisë, galeritë, qendrat rinore e muzetë u lejuan të funksiononin me shfrytëzim të kufizuar të hapësirës së tyre deri në 40 për qind

Ndërkaq, fundjavën e kaluar dy shfaqje, njëra në Teatrin Kombëtar të Kosovës në kryeqytet dhe tjetra në teatrin e qytetit “Hadi Shehu” në Gjakovë, ashtu sikurse edhe koncerti i Filarmonisë së Kosovës po në këtë institucion, qenë pezulluar e anuluar për shkak të masave sipas vendimit të marrë të premten nga Ministria e Shëndetësisë, me të cilin u ndalua “veprimtaria e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restorantet, kafeteritë dhe të ngjashme) në tërë territorin e Republikës së Kosovës)”. Vendimi për ato masa kishte prekur komunat: Prishtinë, Fushë -Kosovë, Gjilan, Obiliq, Gjakovë, Podujevë dhe Shtime.