Kulturë

Filarmonia në Gjakovë me tinguj që harmonizohen për optimizëm

Filarmonia në Gjakovë me tinguj që harmonizohen për optimizëm
Distanca fizike është domosdoshmëri në këtë kohë e një masë e tillë është respektuar edhe në koncertin e Filarmonisë së Kosovës në teatrin “Hadi Shehu” në Gjakovë. Por me turneun që ka nisur, institucioni më i lartë i muzikës në vend synon t’i qëndrojë afër publikut (Foto: Arben Llapashtica)
 

Filarmonia e Kosovës i është rikthyer publikut në Gjakovë, pas një mungese prej pesë vjetësh. Orkestra nën dirigjimin e Gridi Krajës nga Tirana, të martën mbrëma ka interpretuar program me frymë shqiptare. Ky qytet ka qenë destinacioni i radhës, në kuadër të turneut që institucioni më i lartë i muzikës serioze në vend po bën për të shënuar 20-vjetorin e themelimit. Duke respektuar masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, instituti më i lartë i muzikës ka vendosur që t’i qëndrojë afër publikut. Distanca është diçka me të cilën kanë nisur të mësohen të dyja palët. Publiku në sallën e teatrit të qytetit “Hadi Shehu” ka qenë i shpërndarë, njëlloj siç ishin edhe anëtarët e orkestrës në skenë. Mbajtja e maskave është obligative. Me gjthë masat, koncerti në Gjakovë ishte dëshmi që interesimi i publikut nuk është zbehur.

Për dirigjentin Gridi Kraja, në këtë kohë pandemie, muzika është ilaç. Ai për herë të dytë dirigjoi orkestrën. Fillimisht dha direktivat në tetor në koncertin që patën anëtarët e orkestrës në Prishtinë, që shënoi edhe rikthimin në skenë pas shtatë muajve pauzë për shkak të pandemisë. Repertori në Gjakovë ishte i ngjashëm me paraqitjen në kryeqytet, mirëpo erdhi më i tkurrur. Edhe orkestra nuk u paraqit me formacionin e saj të plotë. Për shkak të masave është zvogëluar edhe kohëzgjatja e koncerteve në paraqitjet e orkestrës, por edhe të Korit të Filarmonisë.