Kulturë

Gjashtëshja debutuese nga “Neo_School” dëshmon talent e kreativitet

Descriptive Text

Një rrëfim i shtrirë dhe përthyer në gra të martuara në vitin 1958, 1991 e më vonë, si dhe femra të tjera të pamartuara ka sjellë të pathënat e një mendësie shoqërore në evoluim. “Ishim si macja në thes”, ka treguar më e moshuara prej tyre që ishte martuar këtu e 62 vjet më parë në një katund të Lipjanit.

Filmi i shkurtër dokumentar “Gojë ka, gojë s’ka”, i filmbërëses së re Valmira Rashiti, ka marrë duartrokitje të përzemërta nga publiku i ri që kishte zënë vend të mërkurën mbrëma në sallën e “Kino Armatës”.

Ndonëse rrëfimet e gjalla të femrave të përfshira në dokumentar kanë sjellë herë-herë edhe hilaritete te publiku, Rashiti ka thënë se ideja ishte të paraqitej ana e errët e një realiteti të rëndë për shumë femra.

“Nuk ka qenë aspak e lehtë, sepse ishte vështirë t’i bindje gratë të dilnin para kamerës e të ndanin përditshmëritë e tyre”, ka treguar ajo.

E ky ishte vetëm një nga gjashtë filmat e shkurtër dokumentarë që janë shfaqur pas përfundimit të shkollës joformale “Neo_School” që ishte dedikuar krejtësisht për prodhimin e këtij zhanri filmik.

“Ideja ishte që njerëzve me talent e ide t’u mundësohej të bënin filma dokumentarë”, ka thënë para shfaqjes së filmave regjisori Ilir Hasanaj. “Mungon dokumentimi i gjërave në Prishtinë dhe Kosovë, ndaj kjo përvojë ia vlejti”.

Hasanaj, i cili ishte njëri nga ligjëruesit në shkollën që zgjati nga 14 shtatori gjer më 16 tetor, ka thënë se është i lumtur që po jepet premiera e gjashtë filmave dokumentarë me një kohëzgjatje prej dyzet minutash në total.

“Shkolla nuk ka qenë vetëm teori e mësim, por edhe ndihmë për njëri-tjetrin për të krijuar”, ka shtuar ai.

Kështu brenda katër javësh gjashtë kandidatët e përzgjedhur kishin dëgjuar ligjërata mbi aspektet e ndryshme të procesit të filmbërjes së dokumentarëve.

Ata ishin sfiduar personalisht dhe në grup me operimin e kamerave, montazhin e filmit, post-produksionin dhe aspektet e tjera të procesit të filmbërjes.

Dokumentari i parë, me regji të Blend Bytyqit, ka sjellë rrëfimin fjalëpakë të Sokol Bajraktarit. I lindur në Shqipëri, por që tani jeton duke u endur në Prishtinë e Fushë-Kosovë, bredharaku ka evokuar jetën e tij në lëvizje.

“Jetoj rrugëve duke pirë”, ka treguar Bajraktari me mjekrën e fytyrën esmere që reflektonin të hequrat e tij në një jetë të paqetë.

Vetë filmbërësi i ri, Blendi Bytyqi, ka treguar se sa e vështirë kishte qenë përfshirja e Sokolit në dokumentar. Kishte zgjatur rreth 40 minuta gjatë të cilave kishte bërë pyetje e pyetje për të vjelë sa më shumë informata.

“Pati edhe pjesë shumë të mira që nuk arrita t’i përfshija brenda dokumentarit”, ka thënë Bytyqi, teksa ka vlerësuar se e gjithë gjëja ka qenë përvojë e mirë në filmbërje.

Një shëtitje e pazakontë mes rrugëve të kalldrëmta në qytetin e Prizrenit ka sjellë një perspektivë tjetër: Rita Bekqeli, një prizrenase e re, ka folur për ndeshtrashat e çdoditshme që has kur del me karrocën e saj në qytetin historik.

“A bën veç pak ta largosh karrigen”, i thotë ajo me mirësjellje një kamerieri të një lokali që ka uzurpuar edhe trotuarin për kalimtarë.

“Një ditë me Rita Bekqelin”, me regji të Nol Sahatçiut, ka problematizuar pengesat që hasin invalidët me karroca.

“Ku shkel këmba jote, duhet të shkel edhe rrota ime”, ishte mesazhi i vajzës prizrenase.

Regjisori Sahatçiu ka thënë se e kishte ndier të nevojshme prej kohësh të jepte një pasqyrë për problemet me të cilat përballet kjo kategori e njerëzve. Edhe në kryeqytet, sipas tij, nuk sheh shpesh njerëz të tillë të lëvizin shesheve e rrugëve.

“Kjo mbase të jep një perspektivë se qyteti është i papërshtatshëm për ta”, ka thënë Sahatçiu.

Me një narrativë jotekstuale e vetëm nëpërmjet pamjeve, 16-vjeçarja Vlera Azizi ka sjellë një ekskursion mespërmes ngrehinave të betonta brutaliste nga Prishtina deri në Mitrovicë.

“Stories I Heard Influenced by Nostalgia”, siç është quajtur dokumentari i saj, është konceptuar asisoj sa për të dhënë përjetimin e një të reje për një stil që dikur përdorej me të madhe në arkitekturën e vendeve të ish-Jugosllavisë.

“E kam pasur njëfarë përfytyrimi të zymtë për to”, ka thënë Azizi, teksa ka folur për dokumentarin e saj.

Dokumentari i radhës “I Have Never Been on an Airplane”, i Redon Kikës, ka sjellë rrëfimet e tre të rinjve prishtinas që nuk kanë udhëtuar asnjëherë me aeroplan.

“Do të kisha dëshirë të shihja pamjet nga dritarja e aeroplanit e të ndihesha e vogël”, thotë një e re prishtinase.

Me pamje vivide mes shumëkatësheve në kryeqytet, të rinjtë e përfshirë në dokumentar kanë folur për ëndrrën e tyre për të përjetuar atë që nuk po e lejon dot kufizimi i lëvizjeve.

Si shkas për të trajtuar në dokumentar kishte qenë një rikthim i shënimeve që i mbante në një fletore të veten. Kështu filmbërësi i ri Redon Kika e kishte ndier të nevojshme t’ia jepte një zë një storieje që përbashkonte plot miq të rrethit të ngushtë.

“Më kanë prekur shumë rrëfimet e tyre”, ka thënë ai.

Siparin e dokumentarëve e ka mbyllur filmi “T.A.Z” i Auron Myftarit që ka dhënë rrëfimin e një të riu DJ që nëpërmjet muzikës orvatet të sjellë një lloj çlirimi tek të rinjtë.

Ndryshe, platforma e edukimit “Neo_School” është vazhdim i punës dyvjeçare të “Kino Armatës” për ndërtimin e një baze kreative për krijues, artistë e punëtorë kulturorë.

Nga njëzet aplikues sivjet ishin zgjedhur vetëm gjashtë syresh, të cilët, pas punës intensive teorike dhe zhvillimit të idesë për film kishin prodhuar secili veç e veç nga një dokumentar.

Gjatë kësaj periudhe ata kishin ndjekur ligjërata nga Gazmend Bajri, Pëllumb Ballata, Eroll Bilibani, Ilir Hasanaj, Latif Hasolli, Liburn Jupolli, Bujar Kabashi, Samir Karahoda, Besa Luci, Leart Rama dhe Jeta Xharra.

E përkrahur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Komuna e Prishtinës, “Kino Armata” ishte pajisur me kamera, mjete audio, njësi montazhi, e të tjera, që iu mundësoi pjesëmarrësve të platformës “Neo_School” realizim teknik falas të filmave të tyre dokumentarë.