Kulturë

Teatri me Këshill të ri Drejtues, pa konkurs për dy pozitat kryesore

Teatri me Këshill të ri Drejtues, pa konkurs për dy pozitat kryesore
Foto: Driton Paçarada / KOHA

Teatri Kombëtar i Kosovës ka hyrë në radhën e institucioneve qendrore të kulturës të cilave u është ndërruar përbërja e këshillave drejtues. Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka vendosur që Teatri të jetë institucioni i gjashtë me radhë ku anëtarëve të këshillit drejtues u ndërpritet mandati. Përbërja e kaluar e Këshillit Drejtues të TKK-së ishte emëruar në dhjetor të vitit 2017. Këshilli Drejtues i TKK-së ka mandat katërvjeçar. Një gjë e tillë përcaktohet me Ligjin për teatro, të miratuar më 2012. Po i njëjti ligj e vë në kompetencë të ministrit të Kulturës shkarkimin dhe emërimin e anëtarëve të këshillit. E, duke u thirrur në këtë nen, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ua ka shkurtuar mandatin gjashtë prej shtatë ish-anëtarëve të këtij organi.

Agron Shala, Ramadan Musliu, Feim Maliqaj, Besim Rexhaj, Mustafë Halili, Samka Ferri e Ismet Azemi janë emëruar anëtarë të Këshillit në ditën e dhjetë të këtij muaji. Aktori Ismet Azemi ka qenë edhe në përbërjen e këshillit paraprak. Kurse poeti e kritiku letrar Ramadan Musliu ka vdekur javën e kaluar. Kësisoj, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, duhet ta zëvendësojë atë me një anëtar të ri në përbërjen e Këshillit.