Nishani dekoron rilindasin Josif Bageri

Nishani dekoron rilindasin Josif Bageri

09 June 2017 10:34

Ka çaste dhe raste në jetë, kur njeriu rrëmbehet nga emocionet dhe s’bëhet i zoti t’i kontrollojë ato. Një rast dhe çast i tillë është pikërisht ky i sotmi, kur Ju, zoti President me vendimin tuaj për të dekoruar e nderuar disa figura dibrane, na bëtë aq krenarë, sa nuk do të ndiheshin vetë laureatët po të ishin gjallë.

Ju me këtë gjest të rrallë prej burrë shteti, ia kthyet Dibrës dhe dibranit vendin e merituar, shpesh të nëpërkëmbur, në historinë e kontributeve patriotike, kontribute këto që ata i kanë dhënë në vazhdimësi shekuj me radhë. Dibrani, siç na mëson historia, ka ditur ta përdor si pushkën ashtu edhe fjalën, edhe penën. Veprimi Juaj kuptimplotë, nuk është vetëm mirënjohje për kontributin e dibranëve bë altarin e kauzës kombëtare.

Është edhe frymëzim për gjeneratat e reja, që të ecin gjurmëve të etërve, gjyshërve dhe stërgjyshërve të tyre, të bindur se kontributin e tyre Atdheu do të dijë ta shpërblejë, qoftë edhe me një mirënjohje, siç është rasti që përjetojmë sot. Unë si kryetare e parë e Shoqatës Josif Bageri, ndjehem veçanërisht e privilegjuar dhe e nderuar që pranoj këtë mirënjohje të lartë me të cilën Ju zoti President, dekoroni rilindësin, poetin, gazetarin dhe veprimtarin e devotshëm shqiptar Josif Bageri. Bageri (lindur më 1870 në Nistrovë të Dibrës) është kyçur në lëvizjen patriotike qysh në moshën e re në Sofje. Bëhet bashkëthemelues i Shoqatës Patriotike “Dëshira”, pastaj boton gazetën “Shqypeja e Shqypnisë”, e pas shpalljes së Pavarësisë bëhet redaktor i gazetës “Ushtima e Krujës”.

Fjala jonë e urtë thotë: Trimi i mirë me shokë shumë. Të tillë e gjejmë Josifin në bashkëpunim me Said Najdenin, Naim Frashërin, Jashar Erebarën, Nikolla Ivanajn, Luigj Gurakuqin, etj. Ai veproi në mbarë territorin etnik shqiptar, duke bërë çmos për çlirimin e tij nga zgjedha osmane dhe serbe. Edhe shoqata që unë drejtova për një kohë, u përpoq të ecë gjurmëve të tij, duke dhënë një kontribut modest për zgjimin e ndjenjën kombëtare te vëllezërit ortodoksë të krahinës së Rekës së Epërme. Organizuam konferenca shkencore, tryeza të ndryshme, botuam libra me këtë temë, etj. Si rezultat të kësaj veprimtarie ne sot kemi themelimin e Bashkesise Ortodokse shqiptare në Maqedoni, por edhe një deputet të këtij komuniteti – z. Branko Manojllovski.

Natyrisht ky është vetëm fillimi. Zoti President, s’është e tepërt që edhe një herë t’Ju shprehim falënderimet tona të sinqerta për gjestin Tuaj fisnik dhe patriotik. Po ashtu, një falenderim të veçantë meriton edhe shoqata e Dibranëve, në Shqipëri, për propozimin e denjë e fisnik që i ka bërë Presidentit,z.Nishani. Jam e nderuar,për mirënjohjen që më keni dhënë.

Këtë fjalë rasti më pëlqen ta përmbyll me një strofë të poezisë Vajtim e mallkim të poetit Josif Bageri, përmes së cilës jep mesazhin më patriotik të mundshëm:

O, Shqypni për ty mejtoj!

Për ty, po qajë e vajtoj.

Se djemt e tu keq jon da

Dhe po vriten vlla me vlla!…

Fjala e mbajtur në ceremoninë e dekorimit prej presidentit Nishani të disa personaliteteve të trevës dibrane (huajtur nga 55online)

Komentet

Shto koment

Të ngjashme