Kulturë

Me skepticizëm gazmor kundër patologjisë së përditshmërisë

Me skepticizëm gazmor kundër patologjisë së përditshmërisë

Me rastin e vdekjes tmerrësisht të hershme të poetit e kritikut letrar Ramadan Musliu.

1.
Njëherë gazeta "Zëri" e pyeti poetin e kritikun letrar Ramadan Musliu se si ndihej në këto kohëra të lirisë dhe pavarësisë. Ai u përgjigj kështu: "Në këtë kohë kur njeriu pret verifikimin e gjithë atyre pritjeve, të cilat dikur i trajtonim si një të ardhme hipotetike, për të cilën në veçanti inteligjencia supozonte se ka investuar në ndërtimin e bazamentit moral të një shoqërie të ardhme, nuk ka se si të mos jetë tani në një pozicion observuesi i gjithë asaj që po ndodh, patologjisë së përditshmërisë, nga fakti se një shtresim i paktë i këtij formacioni janë përjashtuar nga jeta reale. Kësaj inteligjencie i paskan munguar rrënjët, do të thoshte Karl Manhajmi. Nuk ka ndryshe se si të mendohet për një shtresim të shoqërisë e cila ka degraduar në 'mbajtës të çantave' të pushtetarëve satrapë, të despotëve që i ka prodhuar mendësia staliniste e mjedisit primitiv. Realiteti ynë dhe liria jonë është një komedi me një përfundim tragjik".