Kulturë

Çmimi “Artistët e rinj” për Hitlerin komik

Prishtinë, 9 qershor - Diktatori nazist, Adolf Hitler, një prej figurave më të urryera të historisë, është paraqitur si personazh komik. Ai ka marrë formën e kukullës, me dorën e djathtë të ngritur në shenjën e përshëndetjes naziste, derisa rripi nuk ia mbanë pantallonat. Duke e paraqitur në këtë formë, artisti Shpend Havolli mëton që të ngritë pyetjen, nëse një figurë si Hitleri mund të tjetërsohet. Provokim të audiencës, e ka cilësuar ai.

Pikërisht kjo qasje edhe e ka bërë atë fitues të çmimit të parë të garës “Artistët e rinj”. Havolli do të bëhet pjesë e një rezidence në fondacionin “Morra Greco” në Napoli të Italisë. Vepra e tij, e titulluar “Silphium”, u përzgjodh më e mira në mesin e gjashtë artistëve sa ishin finalistë të edicionit të dytë të kësaj gare. “Silphium” është një lloj bime që në antikitet përdorej si bimë mjekësore e më vonë gjeti vend edhe në monedha.

Juria, e përbërë nga kuratorja dhe disenjatorja turke Bashak Shenova, njëherësh kryetare e jurisë, artisti kosovar Adem Rusinovci dhe artisti bullgar Ivan Moudov, të enjten bënë të ditur emrat e fituesve.

Galeria Kombëtare e Kosovës, organizatore e këtij çmimi, këtë vit ka vendosur që të ketë edhe çmim të dytë. Vendi i dytë iu nda dy artistëve. Jetullah Sylejmanit me instalacionin “Center” dhe Altin Krasniqit me 11 piktura që i ka titulluar “Jutopia”. Sylejmani dhe Krasniqi do të bëhen pjesë e modulit “Unide”, i cili është bashkëpunim mes fondacioneve “Chittadellarte - Fondazione Pistoletto” në Biella të Italisë dhe “Art House” në Shkodër. Ata do të bëhen pjesë e këtij programi për dy javë. Finalistë të tjerë, nga 20 sa kishin konkurruar këtë edicion, ishin edhe Adea Pula me video-instalacionin “Puzzlement”, Din Azizi me video-performancën “X tolerance” dhe Faton Mazreku me dy pikturat, “Motiv tregu” dhe “Dita që do të mbathemi”.

Veprat e finalistëve për këtë çmim u bënë tok në ekspozitën me kuratorën Rudina Xhaferi e Alban Muja (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.