Kur Martin Puchner po rritej në një bllok shtëpish në Nuremberg në fillim të viteve ‘70, jabanxhinj shfaqeshin te dera duke kërkuar bukë. E ëma e tij u jepte atyre ujë e sandviçë, duke qëndruar në prag të shtëpisë derisa vizitorët bisedonin në një gjuhë që djaloshi nuk e kuptonte, ani pse fjalët ishin kryesisht gjermanisht.
Tevona, i ungji i tregoi se çfarë i ndillte ata të vinin në shtëpi: e skalitur në themelet e saj të gurta ishte shenja e një kryqi brenda një rrethi. Për ata që e dinin, ai shenjëzonte që ndenjësit e shtëpisë do të jepnin bukë, shkruan “The New York Times”.
Ata që e dinin këtë ishin turlifarë bredharakësh: mjeshtër, farkëtarë, shitës, udhëtarë – njerëz pa një vend të ngulitur. Piktogramet që ata i gdhendnin nëpër gardhiqe shtëpish quheshin zinken, sipas fjalës latine për shenjën signum.
Gjuha që flisnin ata ishte Rotwelsch, një përzierje mes jidishtes, hebraishtes dhe gjermanishtes së përshtatur që përdorej ndër shekuj nga anëtarët e nëntokës së udhëtarëve, transmeton KOHA. I ati i Puchnerit i quante ata “njerëz përjetësisht në rrugë, duke u arratisur në kërkund hiç”.
Sot Puchner është profesor i anglishtes dhe letërsisë krahasimtare në Harvard. Libri i tij paraprak, “The Written World”, qëmton fillet e letërsisë. Por me veprën e tij të fundit ai e kthen vëmendjen te një gjuhë që s’ka letërsi, një sistem komunikimi i sajuar për t’iu bishtnuar studiuesve.
Sikundër sugjeron titulli “The Language of Thieves: My Family’s Obsession With a Secret Code the Nazis Tried to Eliminate”, libri është një projekt thellësisht vetjak, asi që qëmton kuptimin e gjuhës dhe familjes, trashëgimisë dhe borxhit.
Si babai i Puchnerit, ashtu edhe i ungji, ishin tërhequr pas Rotwelschit dhe morën fjalë të saj në të folurën e tyre. Si djalosh, Puchneri kënaqej nga fraza të ethshme si “të bësh një lepur”, që nënkuptonte të bëje një ikje të shpejtë. Gjatë shëtitjeve, i ati e mësoi atë të vinte re zinken skaj rrugëve dhe fermave. Paçka se prindërit e tij i takonin klasës së mesme, Puchneri shkruan, “U rrita me ndjenjën se kisha një lidhje të veçantë me rrugën dhe nëntokën e udhëtarëve”. Në familjen e tij ai ndiente se “Rotwelschi u bë posedimi ynë i veçantë, e fshehta jonë”.
Por ishte një tjetër fshehtësi që e lidhte Puchnerin me këtë gjuhë. Si student i diplomuar në Harvard, ai po kërkonte shkrimet e gjyshit të tij Karl Puchner në Widener Library. Gjyshi kishte qenë historian i emrave në Gjermani.
Pa dyshim, Widener kishte disertacionin e doktoraturës së Karl Puchnerit nga viti 1932 dhe ca artikuj studimorë. Por krahas historive të thata të shenjtorëve të manastireve bavareze, Martin Puchnerit i zuri syri diçka që e tronditi: një artikull që dëftonte se gjyshi kishte përqafuar gjithë qejf idetë naziste, përfshirë fantazinë e Hitlerit për pastërtinë racore. Artikulli, që bazohej në një ligjëratë, propozonte eliminimin e emrave hebraikë që ishin të padallueshëm prej atyre gjermanë – që sipas Karl Puchnerit ishte shenjë e pandershmërisë dhe qëllimeve kriminale të hebraikëve.