Kulturë

Si e prishën shtetin “Gorillat që s’i pamë”

Publicisti dhe shkrimtari, Veton Surroi, ka promovuar të enjten në Prishtinë, veprën me shkrime heretike “Gorillat që s’i pamë”.

Surroi, rrëfimin mbi 18 vjetët e pasluftës në Kosovë, e sjell të thjeshtëzuar gjuhësisht, duke e krahasuar atë me thyerjen e një gjymtyre të trupit.

“Nëse ju thyhet një asht dhe dikush që jua do të mirën, nuk ju rekomandon një mjek, por ju sugjeron ta mjekoni me ca barishte”, kështu sipas tij, kanë vepruar ndërkombëtarët në raport me Kosovën, duke i rekomanduar gjithnjë zgjidhje të përkohshme, por jo të duhur.

Këtë thyerje, që nuk u kurua kurrë, më së miri do të mund ta ndiejnë fëmijët e lindur 18 vjet më parë, e që këtë vit, për herë të parë, do të kenë të drejtën e votës, u shpreh Surroi, i cili po ashtu tha se vepra u kushtohet fëmijëve të vrarë në luftë.

“Po ka diçka për të cilën jo gjithherë Serbia është fajtore”. E, këtë, sipas tij, e dëshmon rezultati i PISA-s, që është pasqyrimi i shtetit, që asnjëherë nuk investoi në bazamentin e një shoqërie siç është arsimi, duke na kthyer në gjuhën e sharrëxhinjve.

E, ndërkohë redaktori i librit, Agron Bajrami, e ka përshkruar librin dhe qasjen e autorit si një përpjekje për liri.

“Pasi ta keni lexuar këtë libër, jam i bindur se do të mbeteni të uritur për herezi tjera nga Veton Surroi”, ka përfunduar redaktori i librit Agron Bajrami.

“Gorillat që s’i pamë”, mund ta gjeni në stendën e “Botimeve Koha”, që është pjesëmarrëse në Panairin e Librit në Prishtinë.