Kulturë

Surroi: Jemi pengje të mostrajtimit të luftës si përgjegjësi e Serbisë

Prishtinë, 8 qershor - Në Promovimin e librit “Gorillat që s’i pamë”, autori i kësaj vepre, shkrimtari, publicist e politikani, Veton Surroi ka thënë se vepra u kushtohet fëmijëve të vrarë në luftë, raporton Koha Ditore.

Sipas tij Kosova është penge e mostrajtimit të një çështjeje evidente, luftës. Ai ka thënë se Serbia ka ushtruar luftë në Kosovë dhe nuk ka përgjegjësi juridike e për zhvillimin e asaj lufte.

“Kosova e cila nuk e trajton marrëdhënien me Serbinë si çështje të luftës por si çështje të targave, të ngjitësve të kësaj apo asaj forme, të krijimit të sistemeve paralele telekomunikuese që është absurd në botë, nuk ka gjasa që të përparojë më tutje”, ka thënë Surroi. Sipas tij gjithmonë edhe gjithnjë, Kosova do të kthehet tek e kaluara dhe kjo e kaluar nuk do të mund të tejkalohet lehtë. “Asnjë e kaluar e jona nuk mund të tejkalohet nëse nuk e trajtojmë si të tillë”, ka thënë ai.

Redaktori i librit të promovuar të enjten, Agron Bajrami i cili njëherësh është edhe kryeredaktor i “Kohës Ditore”, ka thënë se kësaj radhe “jo vetëm duke demaskuar atë që Surroi e quan ‘sundimi i bullshitit’, sistemin e Klanit Pronto dhe njerëzit e tij që Kosovën e bënë të jetë kështu si është – një shtet të cilin, siç e thotë ai, po e prishin – autori shkon përtej në adresimin e faktorëve që të ardhmen e më të mirë e bëjnë të pamundur për tu arritur nëse gjërat nuk ndryshojnë”.

“Mes tyre janë krimet e mëdha të së kaluarës të kryera në Kosovë, të cilat shpesh, tepër shpesh, mbahen në harresë dhe mbeten të pandëshkuara. Dhe është një Serbi e pandryshuar, të cilën Kosova e legjitimon përmes dialogut me të”, ka thënë Bajrami.

Vepra më e re Veton Surroit, “Gorillat që s'i pamë”, gjendet në shtandin e Botimeve KOHA në Panairin e Librit. Qysh në ditën e parë të kësaj ngjarjeje ka qenë libri më i kërkuar nga vizitorët. “

Përse Kosovën e sundon grupi më i paarsimuar dhe më i padijshëm? Si po e bëjnë portalet e klanit “Pronto” 1 prillin çdo ditë, dhe si kemi hyrë në periudhën e pasvërtetës? Pse po na mbajnë të izoluar Serbia dhe gjuha e sharrëxhinjve? Përse jemi më afër Afganistanit, Sirisë e Irakut sesa Francës e Gjermanisë?”, janë vetëm disa prej pyetjeve që shtron ky libër.

Pos librit të Surroit, veprat e të cilit ndër vite janë më të kërkuarit në panair, edhe për titujt e tjerë të Botimeve KOHA vazhdon të ketë interesim të madh nga lexuesit, duke pasur parasysh gamën e gjerë të ofertës dhe vazhdimin e traditës me zbritje deri në 70 për qind.