Kulturë

Kthehet në origjinalitet monumenti pesëshekullor në Berat

Xhamia Mbret në Berat është pasuruar edhe më, pas restaurimit të detajeve të mureve të brendshme. Janë dashur më shumë se tre vjet punë që arkitektura e rafinuar në tavanin e xhamisë të marrë pamjen origjinale, raportojnë mediat në Shqipëri.

Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Berat, Eugen Kallfani, kanë përfunduar 90 për qind të punimeve, përderisa ka mbetur edhe vendosja e dyshemesë, tapetit, instalimet elektrike, vendosja e shandanëve në sallën e lutjeve, restaurimi i parmakëve të mahfilit, restaurimi i mihrabit dhe ndriçimi i jashtëm dekorativ. Ai ka thënë se kanë përfunduar krejtësisht punimet më delikate që kishin të bënin me restaurimin e tavaneve, të pjesës së hajatit dhe të sallës së lutjeve. Por puna nuk do të përfundojë me kaq.

“Njëkohësisht në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë është miratuar edhe projekti për ndërhyrjen në sheshin e qendrës mesjetare, i cili do të ketë një konfiguracion të ri dhe në funksion të një hapësire shumë të frekuentuar nga turistët. Në këtë ndërhyrje parashikohen kalldrëmet, ndriçimet, stolat dhe të gjithë elementët e domosdoshëm të mobilimit urban të kësaj hapësire”, ka thënë Kallfani.

Ka sqaruar se ndërhyrja parashikon eliminimin e gardheve prej elementësh metalikë dhe sistemimin e oborrit përpara Xhamisë Mbret, duke parashikuar një siluetë shumë më të zbutur me tapet bari. Mendohet se kjo zgjidhje do të nxjerrë më në pah vlerat e mëdha të monumenteve e njëkohësisht do të lehtësojë qasjen e vizitorëve.