Kulturë

Berati nëpër kohë nëpërmjet fotografive e pikturave

Kur në vitin 1848 shkrimtari, muzikanti e piktori anglez Edward Lear kishte qenë në Berat, nuk ishte përmbajtur dot pa e pasur imazhin e këtij qyteti pjesë të krijimtarisë së tij nëpërmjet penelit. Si atëherë, edhe tash, bukuria e këtij vendi mbetet atraktive për vizitorë.

E në “Ditët Evropiane të Trashëgimisë Kulturore” në Berat është hapur ekspozita me pamje të vjetra të qytetit. Janë piktura, fotografi e skica që paraqesin qytetin e para më shumë se një shekulli.

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Muzeumeve në Berat, Agron Polovina, ka treguar se në ekspozitë prezantohen 28 fotografi bardhezi të qytetit të realizuara 120 vjet më parë, 8 riprodhime të akuareleve të poetit dhe piktorit anglez Edward Lear të realizuara në tetor të vitit 1848.

“Pjesë e ekspozitës janë edhe 11 foto të formatit të madh me ngjyrë që paraqesin elementë dekorativë artizanalë të portave të qytetit të Beratit”, ka treguar Polovina. Sipas tij, bukuria e qytetit të dritareve është dëshmi e rëndësishme vizive, e cila vjen deri sot nëpërmjet fotove të realizuara kryesisht në fillim të shekullit XX deri në vitet ’40. Sipas tij, bëhet fjalë për një histori që përbën pa dyshim një trashëgimi të pashembullt fotografike, e cila është bërë e njohur nëpërmjet pasionit të admirueshëm të shumë studiuesve e koleksionistëve që kanë arritur të qëmtojnë me kujdes e pasion.

“Edhe në këtë shtator në veprimtaritë e organizuara ne u drejtohemi brezit të ri, fëmijëve dhe të rinjve, u zbulojmë atyre thesare e dëshmi të rëndësishme të trashëgimisë sonë, i japim krah imagjinatës së tyre për të mbërritur në qytetin e hershëm, si një porosi për ta dashur dhe për ta ruajtur këtë pasuri, si një krenari ndaj paraardhësve e përgjegjësi për ta përcjellë brez pas brezi”, ka thënë ai.

Berati më 1961 zyrtarisht nga shteti shqiptar u shpall qytet-muze. Qyteti trashëgon 210 ndërtesa muzeale, nga të cilat 150 janë të qasshme. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Më 8 korrik të vitit 2008 Berati u bë pjesë e Listës së UNESCO-s si aset i trashëgimisë botërore. Berati u vlerësua si një shembull i rrallë i arkitekturës tipike osmane. Berati, sipas UNESCO-s, është dëshmi e bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme fetare dhe kulturore gjatë shekujve. Në kriterin e tretë të arsyes së hyrjes së Beratit në Listën e trashëgimisë botërore shkruhet se Berati dhe Gjirokastra janë një dëshmi e shquar e diversitetit të shoqërive urbane në Ballkan dhe të jetëgjatësisë së mënyrave të jetës të cilat sot pothuajse janë zhdukur. Sipas arsyetimit, dy qytetet janë dëshmi e jashtëzakonshme për llojet e ndryshme të monumenteve dhe banesave popullore urbane gjatë periudhës mesjetare.