Kuvendi i Kosovës ka dështuar dy herë radhazi brenda ditës që të zgjedhë gjashtë anëtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Në seancën e së hënës, pas dy votimeve, asnjë nga kandidatët shqiptarë dhe ata të komuniteteve joshumicë, joserbë, nuk kanë marrë votat e nevojshme për t’u bërë anëtarë të KKTK-së.
Kanë qenë 11 kandidatë shqiptarë për pesë anëtarë të KKTK-së dhe dy të komuniteteve joserbë. Sa i përket pakicës serbe që në KKTK përfaqësohet nga një anëtar, në mungesë të një kandidati nuk është votuar fare dhe me automatizëm është vendosur që të rishpallet konkursi. Por asnjë kandidat për gjashtë pozita si anëtarë të KKTK-së nuk ia ka dalë që të marrë votat e shumicës së deputetëve të pranishëm.
Kësisoj, organi i pavarur i trashëgimisë kulturore do të vazhdojë të jetë jofunksional. I tillë është qysh prej korrikut të vitit 2018. Konkursi për shtatë anëtarët e KKTK-së, që ishte hapur në maj të këtij viti deri në qershor, duhet të përsëritet. Sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, detyra kryesore e KKTK-së si organ i Kuvendit është shqyrtimi i propozimeve të Ministrisë së Kulturës për monumentet që duhet të jenë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka qenë kryesuese e seancës së të hënës. Para se të votohet për kandidatët, ajo ka sqaruar se me Ligjin për trashëgimi kulturore nuk sqarohet procedura e zgjedhjes së anëtarëve të KKTK-së. Pikërisht për këtë arsye, prej vitit 2009 kur është themeluar, KKTK-ja deri më 2015 asnjëherë s’i ka pasur të gjithë anëtarët.
“Me ligj nuk është përcaktuar mënyra dhe forma e përzgjedhjes, prandaj votimi do të jetë i fshehtë dhe kandidatët të cilët i fitojnë shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe votojnë, do të përzgjidhen anëtarë të KKTK-së”, ka thënë paraprakisht Nagavci. Por në të dyja votimet asnjë prej kandidatëve nuk ka arritur që të marrë shumicën e votave të deputetëve të pranishëm të cilët kanë votuar.
-
Tre vjet për shtatë anëtarë, funksionalizohet organi i trashëgimisë kulturore
-
Për tre vjet katër konkurse në kërkim të anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore
-
Politika me emrat e radhës për Këshill të Kosovës për Trashëgimi Kulturore
-
Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore pa anëtarë e me akuza për politizim
-
Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore me përbërje të re, injorohen kritikat