Kulturë

“Muzeu Lëvizës - Tirana vjen tek ti” ndaloi edhe në Pejë

Me rastin e shënimit të 100-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet të Shqipërisë, “Muzeu Lëvizës – Tirana vjen tek ti”, ka ndaluar të premten edhe në qytetin e Pejës.

Në këtë muze të improvizuar brenda një kamioni, që strehon në miniaturë rrugëtimin dhe kujtesën e një qyteti përgjatë një shekulli, pejanët gjatë tërë ditës kanë mundësi të shohin elementet kyçe të historisë së Tiranës, elementeve dinamike të ndryshimit urban të qytetit, historinë etnografike, kulturën, artin, arkitekturën, zhvillimin rural e jetësor ndër breza , duke paraqitur Tiranën në gjitha dimensionet e një kryeqyteti me imazhe fotografike.

Aktiviteti për shënimin e këtij përvjetori të Tiranës edhe në Pejë, fillimisht nisi me një takim në mes të përfaqësuesve nga Bashkia e Tiranës dhe Unionit të Bashkive Shqiptare me kryetarin e komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherin.

Pastaj në një ceremoni rasti në sheshin e qytetit, u bë hapja e këtij muzeu të lëvizshëm, që është një projekt synues për promovimin e turizmit të kryeqytetit shqiptar.

“Tirana vjen tek ti” është një projekt që synon promovimin e turizmit të kryeqytetit shqiptar, por edhe një koncept i turizmit rajonal që ne të promovojmë njëri-tjetrin dhe t’i japim mundësi njëri-tjetrit që të festojmë por edhe të promovojmë. Pra jo vetëm të festojmë 100 vjetorin e Tiranës kryeqytet, por edhe të promovojmë qytetet tona shqipfolëse”, u shpreh drejtoresha ekzekutive e Unionit të Bashkive Shqiptare të Rajonit, Adriola Kambo më rastin e hapjes së këtij muzeu lëvizës.

Kurse, Andi Seferi, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, tha se në këtë vit të shënuar të 100 vjetorit të Tiranës kryeqytet, është etapa e radhës ku promovohet kultura dhe historia e qytetit të Tiranës.

“Është shumë e rëndësishme njohja e historisë sepse neve jemi një popull që kemi shumë histori. Jemi një popull që kemi trashëguar këtë histori, por gjithmonë pushtuesit kanë dashur ta eliminojnë, ta heqin këtë histori. Prandaj kjo është detyra e jonë dhe e brezit të ri, që vendet historike që i kemi dhe momentet historike që janë, të i trashëgojmë brezave që vijnë duke i bërë të njohur qoftë historinë dhe qoftë përmbajtjen”, u shpreh Seferi.

Ndërsa, para se të hynin dhe ta shihni nga brenda se çfarë ofronte të për të parë ky muze për Tiranën, kreu i Pejës, Gazmend Muahxheri, u urojë sukses mysafirëve në misionin e tyre me këtë muze lëvizës.

“Le të jetë ky një fillim i mbarë i bashkëpunimit të mirë të Tiranës me gjithë qytetet shqiptare në Ballkan”, tha Muhaxheri.

“Muzeu Lëvizës - Tirana vjen tek ti” është prezantuar dy ditët e kaluara në Prizren dhe në Gjakovë, dhe stacion të fundit ka kryeqytetin kosovar, Prishtinën.

{gallery}