Kulturë

Fenikasi Kadmi dhe simboli i anijeve ilire me “gjarprin kadmik”

Shpërthimi katastrofik që ngjau në Bejrut më 4 gusht nxori në shesh krizën e madhe që po e fundos këtë vend qe disa vjet. Vërtet, nëpër botë u ngjall një solidaritet me Libanin, duke përkujtuar historinë e lashtë të këtij vendi dhe kontributin që ia dha civilizimit të vjetër në pellgun e Mesdheut nga mileniumi II para erës sonë, që kishte shtrirje të dukshme edhe në Ballkan.

Me këtë rast, do të ishte mirë të përkujtoheshin lidhjet e hershme midis fenikasve dhe ilirëve në nivelin mitik, i cili është sfond që tregon ç’lidhje kishin fenikasit me ilirët, që u vërtetuan më vonë me gjurmimet arkeologjike dhe studimet historike në bazë të burimeve më të reja, që u paraqiten pas asaj kohe, pra me Herodotin (484-425 para erës sonë) e të tjerëve, shkruan KOHA.

Për Kademin, djali i mbretit fenikas Agenor, një mit i vjetër grek që e shënoi i ndjeri Aleksandar Stipçeviqi në librin “Ilirët” tregon se kryeperëndia Zeusi e rrëmbeu motrën e Kadmit (Europa) dhe e vendosi diku në Greqi. Sipas porosisë së të atit, Kademi (i cili do të thotë në gjuhën fenikase: i ardhur nga Orienti) niset për të kërkuar motrën Europa (e cila do të thotë: Perëndimi), duke ndalur në disa vende e duke themeluar aty disa qytete (Thasosi, Theba e të tjera ). Sipas një varianti, Kadmi u bë mbret i Thebes, e në fund ai dhe gruaja Harmonia (vajza e Afroditës) shprehën dëshirën të shndërrohen në gjarpërinj dhe kaluan të jetojnë në amshim në Ishujt e Lumturisë në Oqeanin Atlantik. Sipas variantit tjetër, Kadmi u dëbua nga Theba dhe shkoi në veri tek enkelejtët, ku u martua dhe i lindi një djalë që e pagëzoi me emrin Ilir (Iliyrius), duke themeluar atje qytetin e Ohrit (Lychnidos). Pasi që djali mbeti atje, krijoi një familje me shumë anëtarë, që u njohën si ilirë. Gjatë qëndrimit të tij në Theba e vendet e tjera më në jug, Kadmi ua mësoi banorëve alfabetin që e solli prej vendit të vet (Fenikia), i cili edhe u quajt sipas emrit të tij “Alfabeti i Kadmit”, përkatësisht alfabeti që e përvetësuan grekët dhe e plasuan me emrin e tyre në Evropë.

Mirëpo, kemi edhe një variant tjetër më interesant, ku del se Kadmi në pleqëri la Thebën, duke e caktuar në vendin e vet si sundimtar nipin Pentheus, për të shkuar më në veri tek enkelejtët, të cilët e pranuan si udhëheqës të tyre “kur ata u sulmuan prej ilirëve”. Tani këtu del se mbesa e Kadmit (Agava) ishte grua e “mbretit të ilirëve Lycothereses”. Kur ajo merr vesh se Kadmi tani u bë me enkelejtët, ajo e vret burrin dhe e fton gjyshin të bëhet “mbret i ilirëve”. Mu në pleqëri u lind një djalë që u pagëzua me emrin Ilir (Illyrius). Pasi iu përmbushën të gjitha dëshirat, Kadmi dhe Harmonia shprehën dëshirën të shndërrohen në gjarpërinj e të jetojnë në lumturi të amshuar në parajsë, përkatësisht në “Ishujt e lumturisë”.