Kulturë

Ministria ia mësyn vetë rregullimit të xhamit të çezmës dyshekullore

Të paktë janë ata kalimtarë që vërejnë se poshtë pjesës së xhamit të plasaritur ndodhet një çezme e gurtë. Shtresa e xhamtë e ciflosur nuk e bën atë të ekspozueshme, pavarësisht se monumenti figuron në listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Dukjen e saj e vështirëson edhe vegjetacioni poshtë xhamit.

Një premtim i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) e ka mbajtur peng për më shumë se një vit çezmën dyshekullore pranë ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Asokohe zyrtarët e Ministrisë së Kulturës kishin thënë se janë në pritje të ndërhyrjes nga agjencia turke. Rastin në fjalë e kishte problematizuar KOHA në prill të vitit të kaluar, e cila kishte raportuar se TIKA nuk denjonte as t’u kthente përgjigje shkresave të dërguara nga Ministria e Kulturës.

Të kota kanë qenë përpjekjet e gazetës gjatë ditës së enjte për të kontaktuar Zyrën Ndërlidhëse të TIKA-s në Prishtinë. Nuk është bërë e “gjallë” as në telefon dhe as në faqen zyrtare në “Facebook”. Nëpërmjet postës elektronike nuk janë përgjigjur asnjëherë për këtë çështje.

Por, Ministrisë së Kulturës duket se i është sosur durimi i pritjes. Ka vendosur që ndërhyrjen ta bëjnë vetë.

Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS, ka bërë të ditur se institucionet do të veprojnë “sa më parë që të jetë e mundur”.

“Edhe në vitin e kaluar e kemi aktualizuar këtë çështje. Po ashtu kemi pritur përgjigje prej TIKA-s, më shumë sa i përket qelqit, meqë të tillë nuk ka pasur në Kosovë”, ka thënë Aliu, e cila ka shtuar se TIKA nuk u është përgjigjur kërkesave të përsëritura të Ministrisë.

“Për këtë arsye na mbetet të ndërmarrim vetë veprime. Do të ndërhyjmë sa më parë që të jetë e mundur”, ka shtuar ajo. Të njëjtën gjë e kishte thënë edhe në prill të vitit të kaluar.