Kulturë

“Mini-Panairi i KOHËS” me tituj të rinj e ofertë tërheqëse në kohë pandemie

Për mijëra vjet në pafund buzë nënash janë shqiptuar ninulla me synimin për të komunikuar artistikisht me fëmijën. Të njohura ndër studiues edhe si këngë gjumi e djepi, ato janë shprehja e një krijimtarie të pasur, të sajuar e kënduar nga nënat. Ninulla paraqet një botë të larmishme në paletën poetike popullore përplot ngjyra e nuanca të pastra synimesh, të cilat ndërthuren në mesazhe. Atë që ishte shkruar si punim magjistrature më 1996, Botimet KOHA sjell në formë libri “Ninullat popullore” të autores Burbuqe Rushiti me rastin e përvjetorit të parë të shuarjes së gazetares, poetes e studiueses. Ky libër është vetëm njëri nga shtatë titujt e rinj dhe 100 botimet me të cilin të mërkurën hapet sipari i “Mini-Panairit të KOHËS”.

“Aty në mënyrë të jashtëzakonshme shtjellon temën e ninullave popullore të zbërthyera sipas trevave të ndryshme shqiptare”, thuhet në katalogun e Botimeve KOHA për librin e sapobotuar.

Sikurse çdo vit tjetër, Botimet KOHA në ofertën e vet ka përfshirë një paletë të pasur titujsh me rrëfime, biografi, histori e romane.

Janë 48 ditë karantinë që shërbyen si “frymëzim” që me anë të librit të tij të 12-të, shkrimtari Veton Surroi të përshkruajë ballafaqimin e një vendi të vogël, si Kosova, me krizën më të madhe që ka përjetuar bota që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore.

“Mes rrëfimesh kujtese, analize politike dhe përshkrimesh drame që e përjeton Kosova në mes të pandemisë, vepra më e re e Surroit është një përshkrim i jashtëzakonshëm i problemeve me të cilat ballafaqohet shteti kosovar, i gjendur në udhëkryq për faj të një udhëheqjeje ambicioze e të paaftë dhe për shkak të interesave personale që e mbisundojnë interesin e përgjithshëm”, shkruhet në katalog.

Te “Vdekja e Anilës”, nga shkrimtari Ibrahim Kadriu, tëhollohet një rrëfim emocional për pësimet e brezit rinor, kur sigurimi famëkeq shtetëror afektonte edhe mjediset e shkollave të mesme. Duke nisur me shkas nga metoda e pushtetit për të provokuar me libra të përfshirë në listën e ndaluar, rrëfimi vë në pah personazhe që pësojnë, si rasti i Anilës, por edhe të atyre që përfitojnë, si rasti i të infiltruarit në shërbim, aty ku ushtrohej zeja e të qenit kriminel.

“Është përshkrimi i një realiteti me plot kthesa dramaturgjike, të cilat i referohen tragjikes së kohës kur bastiseshin edhe çantat e nxënësve. Anila është viktima e atij shërbimi, ndërkaq romani merret me fatkeqësinë e saj dhe të njerëzve që e rrethojnë”, shkruhet në katalog.

Kur Apollo 11 dërgoi njerëzit e parë në Hënë, bota do të përjetonte veçantinë e një caku të pabesueshëm. Ngjarja që ndodhi në korrikun e para pesë dekadave do të përthyhej në pafund rrëfime gjithandej botës.

Te “Tales of Discovering the Moon”, Botimet KOHA sjellin romanin e tretë të shkrimtarit dhe publicistit, Veton Surroi, të përkthyer në gjuhën angleze nga Flaka Surroi. Është një rrëfim për katër ditë të verës së vitit 1969 të përjetuara sipas kureshtisë fëmijërore.

“Një rrëfim mjeshtëror për një shoqëri që nga Prishtina shikon misionin e Apollos në Hënë. Një thurje filigranike e qindra rrëfimeve që përbëjnë një të vetmin, për Fshehtësinë e zbulimit të Hanës”, shkruhet në katalog.

Në agoninë e rrahjeve gati sa nuk ishte platitur për muri kur Kolë M.Berisha u ndërmend nga këlthitja e vrazhdë e mjekut kasap: “Mos e përlyej murin me gjak!” Përbindëshi në mantel të bardhë do të konstatonte se milicët mund të vazhdonin me rrahjen e të dyshuarit, sepse ende kishte fuqi për të përballuar rrahjen brutale.

Krimi i vetëm në këtë mes ishte refuzimi i Berishës që t’i ndërrohej emri i shkollës së mesme “Luigj Gurakuqi” në Klinë, ku shërbente si sekretar.

Në faqet e librit “Ditari i një izolanti”, ku përshkruhet kjo ngjarje, kronikohet përpjekja e pushtetit që përpiqej përmes dhunës të jepte shembull se çfarë mund t’i gjente të gjithë ata që ndanin mendimin me të.

“Është libër-dokument të cilin duhet ta lexojnë sidomos brezat e rinj, sepse paraqet një pjesë shumë të rëndësishme të historisë sonë që dëshmon se çlirimi dhe pavarësia e Kosovës ndodhën si rezultat i përpjekjeve, shpesh mbinjerëzore, të patriotëve që nuk luftuan për famë e pasuri, por për mbijetesën dhe mirëqenien e popullit të cilit i takojnë”, thuhet në përshkrimin e katalogut.

Një histori e veçantë, që nga niveli personal ngrihet në atë mbipersonal, përmblidhet në autobiografinë e profesoreshës dhe veprimtares, Luljeta Pula.

E tërhequr prej kohësh nga politika dhe jeta publike, “Rrëfimi i një jete për Kosovën” i jep zë një botëvështrimi për ngjarjet historike që zunë vend në Kosovën e para Kushtetutës së 1974-s e deri në vitet e para të pasluftës.

Në faqet e kësaj autobiografie mund të lexohet se si e krijoi Amerika Ibrahim Rugovën si udhëheqës të pakontestueshëm; se si kryetarja e parë e një partie politike garoi kundër Rugovës për kryetare të Kosovës, si dhe për përkrahjen që një grua i dha UÇK-së në kohën kur rrallëkush e mbronte atë.

Radhës së titujve të rinj i shtohet edhe një biografi për diplomatin dhe politikanin amerikan, Richard Holbrooke. George Packer në librin e tij “Njeriu Ynë Richard Holbrooke dhe fundi i shekullit amerikan” sjell profilin e njeriut brilant, egocentrik dhe me energji e apetite në përmasa thuajse mitike.

Mes admirimit dhe urrejtjes, ai u bë shtytësi kryesor që solli Marrëveshjen e Daytonit, e konsideruar si më e madhja arritje e diplomacisë amerikane pas Luftës së Ftohtë. Në një karrierë diplomatike nga Vietnami e deri në Afganistan, Holbrooke ishte ithtari i zëshëm që Amerika të merrte rolin udhëheqës në krejt rruzullin tokësor.

“Porse ambicia e tij e pakontrolluar, si dhe vetëpromovimi i pafund ishin pengesa kryesore që kurrë të mos mbërrinte në majat politike që i synonte”, thuhet në katalog.

Kështu, rrëfimi “Njeriu ynë” për Amerikën e viteve të supremacisë së saj nëpërmjet kujtimeve të Holbrookeut, paraqet portretin e një njeriu të jashtëzakonshëm të kohës kur jetoi e punoi.

Manipulimi i një fotografie historike të shpalljes së Pavarësisë në Vlorë kishte shërbyer si nxitje për një vramendje më të thellë. Por, ironikisht, retushuesi i panjohur i fotografisë origjinale kishte harruar pa i hequr dy duar që ishin mbështetur në ballkonin e ndërtesës historike. Është pikërisht ky tis mjegulle që mbulon historinë shqiptare, duke bërë që disa personazhe herë të shfaqen e herë të treten brenda saj. Si roman që trajton histori pa qenë historik, “Kronikat e mjegullës” i Bashkim Hoxhës – që fitoi shpërblimin “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë të vitit 2019 – sjell përjetimin e historisë përmes rrëfimeve të thjeshta njerëzore.

“I zhdërvjellët dhe i pazakontë, historia e shekullit të 20 rrëfehet me mjeshtri, guxim e pa droje për të shembur idhujt. Autori luan me fjalën, idenë, gjuhën e zgjedhur, mjetet rrëfimtare ku dominon ironia. Përmes historive njerëzore që trajton, romani kapërcen kohët dhe kthehet në një ftesë të hapur për të rishkruar historinë e për të shpërndarë mjegullën që e rrethon atë”.

Te titujt e sivjetmë, Botimet KOHA sjell edhe dy vëllime kronikash, vështrimesh e analizash në të cilat strumbullohen dy dekada histori e zhvillime. “Feels like Teen Spirit” dhe “Si mund të jetojmë diku tjetër kur në botë ekziston Parisi” përfshijnë shkrime të veçanta të Adriatik Kelmendit.

Rileximi i këtyre kolumneve rikthen kujtimin në ngjarje të kaluara, duke rikthyer emocionet që kishin përjetuar dikur.

“Është një testament i veçantë, të cilin Kelmendi e pasuron javë pas jave me tekste për mbamendje”, thuhet në katalogun e Botimeve KOHA.

Në ofertën që vlen për të gjithë Kosovën, librat mund të porositen në faqen e shtëpisë botuese Botimet KOHA, si dhe në “Facebook”.

Shpërndarja e librave do të bëhet të nesërmen pas porosisë me postën e shpejtë NPOST, kurse shpenzimet e transportit prej 1.50 euro deri në 5 libra i bart porositësi. Të interesuarit mund t'i blejnë librat sipas kësaj oferte edhe në selinë e KOHËS, në aneksin e ish-Radio Prishtinës.

Për dy dekada, Panairi i Librit kishte qenë një nga organizimet më të mëdha kulturore në vend. Por gjendja e pandemisë në vend ka bërë që edicioni i sivjetmë, i 22-ti me radhë, të pezullohet. Sipas Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Panairi mund të mbahet në vjeshtë në rast se piqen kushtet.

Menaxheri i shitjes në Grupin KOHA, Fidan Ymeri, ka thënë se mungesa e panairit dhe gjendja e krijuar nga pandemia ka bërë që Botimet KOHA të vijnë me ofertë shumë të mirë për lexuesit.

“Sikurse çdo vit edhe kësaj radhe oferta jonë përfshin zbritje të mëdha te botimet e reja, ashtu sikurse edhe e gjithë lista e botimeve tona”, ka thënë Ymeri. “Sivjet, duke marrë parasysh krizën që ka shkaktuar pandemia, ne kemi ofertë edhe më të leverdishme për lexuesit në mënyrë që të jemi pranë dhe në përkrahje të tyre”.