Kulturë

Gjurmëve të Pashko Vasës në Liban

Gjurmëve të Pashko Vasës në Liban
Fotolegjenda: Varri i Pashko Vasës përskaj rrugës Bejrut - Damask, në vendin e quajtur Hazmije

Përskaj rrugës Bejrut - Damask, në vendin e quajtur Hazmije, pushon Pashko Vasa, ose Vaso Pashë Shkodrani, siç e quajnë në Shkodrën e tij dhe në të gjitha viset shqiptare. Varrin e guvernatorit më të njohur të Libanit, gruas së tij të dytë dhe së bijës, tani e mbulojnë hijet e qiparisave dhe pishave të moçme sa edhe vjersha plot kushtrim e Pashko Vasës “O moj Shqypni” (1878), himni më mobilizues i popullit tonë në luftë për pavarësi nga osmanët.

Duke gjurmuar jetën dhe veprimtarinë patriotike dhe letrare të Pashko Vasës në Bejrut dhe shkrimet e kronistëve në vendet e tjera arabe, arrita të zbuloja disa nga momentet e panjohura të jetës së këtij burrështeti dhe autori të veprave letrare e publicistike, të cilat u bëjnë nder kombit tonë dhe vendeve ku shërbeu, si “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” (1879), që u botua separat në frëngjisht, e pastaj u përkthye në gjermanisht, greqisht dhe turqisht mu në kohën më të nevojshme që bota ta kuptonte çështjen tonë gjatë krizës lindore, pastaj artikulli në shqip “Shqypnia dhe Shqyptarët”, që më vonë u përkthye edhe në gjuhë të tjera, “Gramatika e gjuhës shqipe”, (1887, Londër), romanet “Bardha e Temalit” dhe “Trandofile e Gjemba” (1873), etj.