Bota e ka rastin historik që në kulmin e një të zeze që ka pllakosur njerëzimin, të mendojë për leksionet që mund të nxirren prej pandemisë, vlerëson Gianna Pomatas, profesoreshë e pensionuar në Institutin e Mjekësisë në universitetin “Johns Hopkins”, në pjesën e tretë të bashkëbisedës për revistën amerikane, “New Yorker”.
Ajo mendon se ndryshimet e mëdha priren të sjellin ndryshim të madh shoqëror, për mirë a keq. Pasojat e luftërave dhe depresioneve ekonomike janë studiuar thelbësisht; pasojat e pandemive shumë më pak. Analizën për ndryshimin e nis me zhvillimet e viteve të fundit në Bashkimin Evropian dhe me pasojat e politikave që po reflektojnë mënyrën e menaxhimit të pandemisë nga blloku politik, që po has në telashe për të krijuar frymën e përbashkësisë së vërtetë. Përtej interesave politike e ekonomike të gjithsecilit anëtar.
“Qe një kohë të gjatë, burokratët evropianë dhe klasa sunduese evropiane është treguar këmbëngulësisht anti-Keynesiane. Dhe Mario Draghi ishte pjesë e asaj klase – ai është në maje të saj! Dhe befasisht shkruan në ‘Financial Times’ krejtësisht të kundërtën e asaj që e predikoi për vite me radhë”, më tha Pomata.
Draghi e përshkroi koronavirusin si “tragjedi njerëzore të përmasave të mundshme biblike”. Ai shtoi: “Sfida me të cilën përballemi është si të veprojmë me fuqi dhe shpejtësi të mjaftueshme për të mos lejuar që recesioni të transformohet në një depresion të zgjatur, të thelluar edhe më shumë nga një bollëk falimentimesh me pasoja të pariparueshme. Tashmë është e qartë se përgjigja duhet të përfshijë ngritje të theksuar të borxhit publik”.