Kulturë

Apologji për komunitetin dibran në Shkodër

Apologji për komunitetin dibran në Shkodër
Autorja e librit “Dibranët e Shkodrës” ka bërë një punë me vlera të mëdha njohëse për komunitetin dibran në Shkodër, duke na kujtuar se origjina e çdo individi apo familjeje mbetet çështje jo vetëm personale, por është pjesë e kujtesës historike, si kudo në vendet e qytetëruara

Migrimi i popullsisë nuk është dukuri e panjohur, as e kohës së re. Janë pikërisht qendrat e mëdha të cilat kanë qenë motivuese për qytetarët e ndryshëm, në saje të zhvillimit të përgjithshëm shoqëror dhe ekonomik. Në këtë aspekt, në hapësirën etnogjeografike shqiptare në Veriun shqiptar, Shkodra ishte qytet i veçantë, duke qenë adresë e preferuar për popullsi të ndryshme nga areali shqiptar, por edhe më gjerë.

Kujtojmë me këtë rast vitin 1479, kur qyteti i Shkodrës nga ana e venedikasve iu dorëzua Perandorisë Osmane, me ç'rast qytetin e lëshoi rreth një e treta e popullsisë, duke u vendosur në Venedik e gjetiu. Nga ajo kohë e më pas, në qytetin e Shkodrës janë vendosur popullsi nga rrethina e saj e më gjerë, duke u bërë një dekompozim antropologjik e demografik. Në këtë aspekt, si dëshmi janë rreth 400 patronime të familjeve të sotme shkodrane, të cilat dëshmojnë origjinën e tyre nga vendbanimet e rrethinës apo të zonës së saj gravituese e më gjerë. Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe dibranët, të cilët kanë bërë emër kryesisht në fushën e ndërtimit, duke qenë sinonim i kësaj veprimtarie.