Kulturë

MKRS investon me 2.6 milionë për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Suharekë

Sot është nënshkruar mmemorandumi i bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Suharekës për ndërtimin e shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyqi”. Siç është bërë e ditur përmes një njoftimi për media, MKRS-ja do të investojë 2.6 milionë euro.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, tha se nënshkrimi i këtij memorandumi ka rëndësi të madhe.

Sipas saj, ky investim i kontribuon jetës kulturore në Suharekë dhe u ofron kështu qytetarëve mjedise ku mund të përcjellin ngjarje kulturore e artistike.

“Shtëpia e Kulturës mban emrin e Ukë Bytyqit, veprimtar i cili ka punuar shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. E kemi për detyrim të kujdesemi dhe këto objekte me emra të mëdhenj t’ua lëmë trashëgimi gjeneratave të reja”, ka thënë ajo.

Dumoshi vizitoi edhe stadiumin e qytetit të Suharekës ku njoftoi se MKRS-ja ka ndarë 200 mijë euro për rinovimin e këtij stadiumi. Kjo në vazhdën e investimeve që MKRS-ja po bën në komuna të ndryshme nëpër Kosovë, për ta ndihmuar e rregulluar infrastrukturën sportive.


Ajo gjithashtu ka njoftuar se sot fillojnë punimet për ndërtimin e stadiumit ndihmës në fshatin Studenqan të Suharekës. Ajo theksoi se ky stadium do të jetë i kategorisë së parë sipas kushteve të UEFA-së dhe siguroi që pas finalizimit këto projekte të jenë një ndihmë e madhe për qytetarët e Suharekës.


Ministrja Dumoshi tha se sa i përket trashëgimisë kulturore, MKRS-ja është duke punuar në projektin për Shtëpinë - Muze “Fadil Vata”, në fshatin Sallagrazhdë dhe shtoi se MKRS-ja ka projekte edhe për rininë duke i inkurajuar të rinjtë që përmes organizatave komunale të aplikojnë dhe të jenë fitues të këtyre projekteve.

“Bashkërisht me kryetarin diskutuam për projekte që janë shumë të nevojshme e të cilat do të parashihen në buxhetin e vitit 2021. Si ministre e kam për detyrë bashkëpunimin me të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës”, tha mes tjerash ministrja Dumoshi.
Ndërkaq zëvendëskryeministri Driton Selmanaj tha se në këtë komunë do të ketë investime edhe në infrastrukturë dhe do të ketë edhe në projekte të tjera për ta përmirësuar jetën e njerëzve.