Kulturë

“Kosova” e fituesit të çmimeve “Emmy” – shembull i propagandës serbe

“Një popull i lindur nga Zoti, një komb i veçuar, një këngë e bukur që ngrihet nga errësira”, janë disa nga vargjet e para me të cilat hapet një këngë në dukje paqësore. Por brenda pak sekondash, lirika kthehet në një pamflet politik. Autori i saj nuk është ndonjë nacionalist serb, por vetë aktori hollywoodian Jonathan Jackson. Të dielën e 28 qershorit, kur serbët festojnë Vidovdanin, Fondacioni i Hilandarit kishte publikuar një videoklipin që e shoqëron këngën e tij më të re. Edhe disa ditë më pas mediat serbe i kanë dhënë bujë këtij realizimi që vjen prej amerikanit të sapokonvertuar në ortodoksizëm.

Videoja në kohëzgjatje prej 5 minutash hapet me një paralajmërim mjaft sugjestiv. “Me bekimin e të shumënderuarit arkimandrit Metodije, peshkop i Lavrës së Shenjtë Imperiale të Hilandarit”, është përshkrimi në fillim të klipit.

Xhirimet paraqesin pamje nga mjediset e jashtme dhe të brendshme të Manastirit të Hilandarit në malin Athos, duke e shpalosur atë edhe nga perspektiva ajrore.

“Kosova, gëzim i të gjithë atyre që vuajnë”, e ka titulluar lirikën e tij aktori 38-vjeçar amerikan.

Kënga është ndërthurur me pamje nga narteksi dhe ikonoklasti i manastirit serb buzë Egjeut, por brenda saj zënë vend edhe pamje të disa manastireve ortodokse në Kosovë.

“Kosovë, Kosovë, bota kurrë nuk do ta njohë dhembjen tënde/ Kosovë, Kosovë, ti njeh gëzimin e të gjithëve që pikëllohen”, thuhet në tekstin e këngës që tani ka klipin me produksion të Fondacionit të Hilandarit. Në njoftimin e afishuar në faqen e Manastirit të Hilandarit thuhet se aktori i famshëm hollywoodian ia ka kushtuar këtë këngë popullit serb dhe Kishës. “Në kërkim të fesë së vërtetë të martirëve dhe etërve të shenjtë, ai u konvertua në ortodoksi më 2015. Ai ka shkruar këngën ‘Kosova’ nga dashuria për popullin serb dhe Kishën, duke dhënë kontributin e tij personal, artistik dhe shpirtëror për ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë”, thuhet në përshkrimin e “Zadužbina Hilandara” për këngën që u dha premierë në atë që serbët e kremtojnë si Dita e Vidovdanit.