Kulturë

Therrë Murrizi – veterani i guximshëm i karikaturës

Për dekada të tëra Therrë Murrizi ka thumbuar realitetin. Me këtë pseudonim ose emër artistik ka botuar karikatura në gazeta e revista në Kosovë e jashtë saj. Bënte pjesë te satiristët më të pëlqyer në faqet e gazetave. Mësimdhënësi Ramadan Zaplluzha, që për publikun e gjerë do të bëhej i njohur si karikaturist, ka vdekur të hënën. Ai ishte 82 vjeç. Veçohet si thumbues i zoti e i guximshëm. Emri i tij zë vend në listën e shkurtër të veteranëve të karikaturës në Kosovë.

Zaplluzha, që deri në fund të viteve ‘50 e kishte mbiemrin Bytyqi, u lind më 28 prill 1938 në Prizren, ku do të përfundonte edhe shkollën fillore. Që nga viti 1953 deri më 1954 do të përfundonte Shkollën Normale në Prishtinë, për t’u bërë mësues në disa vendbanime të rajonit ku jetonte. Numëron mbi gjashtë dekada krijimtari në vizatim, karikaturë dhe strip. Qysh si i ri kishte nisur të shfaqte dozë të talentit. Këtë do ta përvetësonte më vonë duke u bërë pjesë e plejadës së parë të karikaturistëve në vend.

Zaplluzha për herë të parë publikut do t’i prezantohej më 1954 në “Zanin e Rinis” nëpërmjet një vizatimi. E më 1960 si Therrë Murrizi kishte nisur të merrte nam. Revistat “Pioneri” e “Gëzimi” dhe më pas gazeta “Rilindja” do të bëheshin mjeti i komunikimit me dashamirët e karikaturave. “S‘më ha palla për kopalla”, botuar me 1997, “Vizga me thepe 1” dhe “Vizga me thepe 2”, botuar më 2003, janë tre katalogët e Zaplluzhës ku bëjnë pjesë disa prej vizatimeve e karikaturave të tij. Ka ilustruar disa libra për fëmijë, e njihet për stripet si “Arbëri nuk vdes kurrë”, “Trimi i Skënderbeut”, ’’Vëzhgimi”, “Arrestimi” e “Operacioni”. Zaplluzha, i cili kishte hapur gjashtë ekspozita personale, më 2014 në një intervistë në një televizion lokal të Prizrenit kishte folur gjerë e gjatë për jetën e tij. Kishte treguar se arti pamor e kishte joshur qysh në shkollën fillore. E në Shkollën Normale talenti i tij do të shpërthente .

“Qysh prej asaj kohe kam punuar çdo ditë”, kishte thënë ai. Për pseudonimin Therrë Murrizi ishte inspiruar nga një hoxhë që njihej si Mulla Murrizi. E përshkruante si një humorist të zotin dhe mundohej t’i ngjasonte. Kur fliste për karikaturën shpjegonte se ajo nuk është për krejt ata që mund ta shohin.

“Karikatura nuk është për të gjithë që e shikojnë. Karikatura shijohet nga ai që është në nivel të karikaturistit ose mbi të. Është medium shumë i fortë me pak vija”, kishte thënë Zaplluzha. Sipas tij, karikatura duhet të ketë porosi të forta. Nëpërmjet artit synonte që të sulmonte veset e këqija të shoqërisë. Andaj edhe ishte midis karikaturistëve më të pëlqyer në “Rilindje”.

Gazetari veteran Zenun Çelaj, i cili ishte edhe redaktor në “Rilindje”, e ka përshkruar Zaplluzhën si të pëlqyer, të rrallë e shumë thumbues me veprat e tij.

“Ka qenë i rregullt me karikatura. Lexuesit e kanë pritur me kënaqësi pasi ishte spiritual dhe thumbues”, ka thënë Çelaj. Ka treguar se karikaturat botoheshin në shtojcën e humorit të dielave.