Kulturë

Zëri i muzikës si superfuqi magnetike e humane

Zëri i muzikës si superfuqi magnetike e humane
Performanca në piano në “Kolektiv” të Prizrenit, nëntor 2019. “Kjo fotografi nga performanca në ‘Kolektiv’ e kap atë atmosferën intime”, thotë Shporta (Foto: Amer Miftari)

Një prej këngëve të para që Agona Shporta i ka kënduar me muzikantët e jazz-skenës vendore, ka qenë “Summertime” në vitin 2011 në “Dit’ e Nat’” në qendër të kryeqytetit. Mbase është rastësi, por së fundmi është duke punuar pikërisht në këtë këngë të George Gershwinit.

Babai i saj e kishte përkthyer para disa vjetësh si “Vakt i verës” dhe Shporta është duke punuar që ta sjellë këtë version bashkë me një ansambël të muzikantëve nga Prizreni. Një bashkëpunim për fuqizimin e artisteve. Ky është vetëm një nga projektet në të cilat Shporta është duke punuar aktualisht. 26-vjeçarja lidhjen e saj të parë me muzikën e ka pasur kur ishte 9-vjeçare. Atëherë nisi studimet në shkollën e muzikës “Lorenc Antoni” në Prizren. Dy herë në javë mbante orë për piano dhe një herë në javë për solfexh. Mirëpo rrugëtimi s’ishte krejt i lehtë për këngëtaren që gërsheton muzikën tradicionale nga Ballkani, Amerika Jugore, India dhe Lindja e Mesme.